E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rritur në Lindje

Lëvizja demografike, transformimi urban, kundërpërgjigjja ndaj ideologjive të vjetëruara dhe pozicionimi i artistëve në kuadrin e artit ndërkombëtar. “Where the east ends” titullohet ekspozita e hapur dy ditë më parë në Mynih nën drejtimin kuratorial të një grupi artistësh, mes të cilëve edhe shqiptarja Adela Demetja. Ekspozita tenton të tregojë se si aktiviteti i artistëve të rinj nga Evropa Qendrore dhe Juglindore, pasqyron dhe i përgjigjet ndryshimeve socialo-politike në dekadat e fundit. Shpreh zhvillimin mes brezave të artistëve, që u “rritën” gjatë periudhave të ndryshimeve të mëdha, në vende si Shqipëria, Serbia, Bjellorusia, Kosova, Polonia, Republika Moldave, Kroacia, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina dhe Rusia. Mes 15 pjesëmarrësve janë edhe dy artistë shqiptarë, Nikolin Bujari e Driton Hajredini. Bujari paraqitet me një videoprojeksion nga zhvillimi urbanistik i Tiranës, duke u mbështetur tek një përplasje ndërtimore e pak viteve më parë, e mbikalimit tek Zogu i Zi. Ndërsa Hajredini përmes një triptiku piktorik përcjell idenë e emigracionit. Të tjerë pjesëmarrës janë Zbynk Baladrán, Anton Bosnjak, Pavel Braila, Wojtek Doroszuk, Vladlena Gromova, Nicolas Grospierre, Vladimir Nikoli, Vera Veanski, Damir Oko, etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 19 tetor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›