E Diel, 1 Nëntor 2026

New York Times: Pavarësia, mëngjesin e 18 shkurtit

Mediat amerikane, ato të shtypit dhe elektronike, ditëve të fundit kanë një prani më të vërejtshme të Kosovës në faqet dhe informacionet e tyre, për të theksuar se Kosova gjendet në prag të shkëputjes, para shpalljes tashmë të vonuar të pavarësisë së saj. E përditshmja më me ndikim, "New York Times", duke cituar burime serbe thotë se udhëheqja shqiptare e Kosovës do të shpallë pavarësinë më 17 shkurt, pra të dielën e ardhshme. Ndërkaq, një burim tjetër perëndimor i thotë gazetës se shpallja do të ndodhë më 18, në ora 4 të mëngjesit sipas kohës në New York, duke e bërë të pamundur në atë kohë thirrjen nga ana e Rusisë të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ta bllokuar një vendim të tillë. "New York Times" citon pastaj dhe deklaratën e Kryeministrit Hashim Thaçi se "100 vende janë të gatshme të njohin pavarësinë sapo të shpallet‘, deklaratë kjo që përputhet me një të ngjashme që vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit se pas shpalljes nga ana e kosovarëve ‘pavarësinë do ta njohin një numër i konsiderueshëm vendesh‘. Zëvendësndihmësekretari i Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, Kurt Volker, citohet të ketë thënë se Kosova shtet i pavarur ‘do të jetë një vend mjaft stabil‘ dhe se ‘shumica e njerëzve në Kosovë dëshirojnë qetësi‘. "New York Times" citon edhe një deklaratë mbi Kosovën të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates, i cili thotë se Moska zyrtare megjithatë do të reagojë me kujdes‘ pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. "Mendimi im personal është se rusët para se gjithash nuk do ta pëlqejnë pavarësinë e Kosovës, mirëpo ata do të reagojnë kujdesshëm", ka thënë Gates pas takimit me homologun rus, Sergej Ivanov.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›