E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjet magazina, roja ndezi zjarr mes fuçive me solar

Ndërsa roja është përpjekur të ngrohet, magazina në ruajtje të tij është djegur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm në fshatin Hajdaran, rreth 5 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Burimet policore bëjnë të ditur se ka qenë pakujdesia që ka shkaktuar djegien e godinës së ish-fabrikës së miellit, ku aktualisht përpunohej bitum. Menjëherë në vendin e ngjarjes janë nisur tri makina zjarrfikëse, të cilat pas një ore kanë bërë të mundur lokalizimin e flakëve, që rrezikonin të digjnin edhe banesat që ndodheshin pranë godinës.

Sipas burimeve nga policia e Elbasanit, në këtë objekt prej më shumë se një viti përpunohej bitum. Shkak i rënies së zjarrit, sipas policisë, mësohet të ketë qenë pakujdesia e rojës së objektit, i cili ka ndezur zjarr, ndërkohë që shumë pranë flakëve të zjarrit ndodheshin cisternat me solar. Gjatë natës, gjuhët e flakëve kanë arritur te cisternat me lëndë djegëse, që më pas kanë shpërthyer duke e përhapur flakën në të gjithë magazinën. Nga përllogaritjet paraprake, dëmi i shkaktuar nga ky zjarr shkon në disa mijëra dollarë. Gjithsesi, veç zjarrfikësve në ndihmë të pronarit të objektit kanë shkuar edhe banorë të fshatit Hajdaran. Një grup hetimor nga Elbasani, që ka shkuar në vendin e ngjarjes qysh në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, mësohet se administratori i kësaj punishteje bitumi ka marrë vetë përgjegjësitë për zjarrin dhe nuk ka kërkuar dëmshpërblim, duke u mjaftuar me faktin që në këtë ngjarjeje fatmirësisht nuk ka pasur asnjë viktimë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›