E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, Hajdutët "festojnë" me thyerje dyqanesh

Tregtarëve të vegjël dhe të mëdhenj u është kthyer pasiguria e bizneseve të tyre, sado modeste, pas vjedhjeve të reja që janë vërtetuar ditët e fundit në disa njësi tregtimi në qytet dhe në disa fshatra të Sarandës. Objekt i vjedhjes me thyerje gjatë orëve të natës është bërë fillimisht një njësi e tregtimit të artikujve ushqimorë në Lagjen Nr. 1 të qytetit, me pronar Z.Beqirin. Njësia e tij, megjithëse ngjitur me banesën e vet, është gjetur e bastisur me portën të shqyer dhe gjithçka brenda të kthyer përmbys. Ekspertët kriminalë pas shqyrtimit të rrethanave dhe provave të disponueshme, kanë arritur në përfundimin se vjedhja ka ndodhur në orët pas mesnate dhe se autori i vjedhjes kishte hyrë në të në emër të urisë, apo për të bërë një festë të vogël. Kjo, pasi mallrat e munguar ishin disa kilogramë sallam dhe disa shishe birre, duke lënë të paprekura mallra të tjera, me vlerë më të madhe. I njëjti "skenar" vjedhjeje është përsëritur edhe në një kioskë në qendër të qytetit të Sarandës, me pronar V. Korkuti. Vjedhës, me sa duket ordinerë, kanë depërtuar me shqyerje në lokalin e ndodhur gjithashtu në Lagjen Nr.1, ngjitur me ndërtesën e filialit të Albtelekomit. Mungesa e vetme e konstatuar pas vjedhjes kanë qenë 10 steka cigaresh. Vjedhje të klasifikuara ordinere kanë ndodhur ditët e fundit edhe në fshatrat e zonës së bregdetit, si në Nivicë e Piqeras, ku objekt grabitjesh janë bërë thasë të mbushur me ullinj të sapovjelë e të bërë gati për përpunim. Në të gjitha rastet e ditëve të fundit autorët vazhdojnë të mbeten anonimë, megjithëse burimet policore thanë se nga ana e tyre po punohet intensivisht për identifikimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›