Dritëhijet ekonomike vitit 2007
Në rrafshin ekonomik, ky vit që po mbaron do të mbahet mend nga gjithë ne shqiptarët si viti i ankthit pambarim për dritat. Për herë të parë në historinë tonë të mungesave në shërbimet publike, energjia elektrike na mungoi me orë të zgjatura edhe gjatë verës. Megjithë reshjet e bollshme të shirave gjatë muajve nëntor e dhjetor dhe këto ditë të fundit edhe të dëborës, kapaciteti ynë prodhues i energjisë është i tillë që nuk siguron furnizim të plotë për vitin 2008. Kështu që duhet të mësohemi, edhe pse KESH nuk ka kurajo të japë asnjë parashikim, me mungesa në furnizimin me energji edhe për vitin e ardhshëm.
Viti 2007 ishte edhe viti i shitjes më së fundi të Albtelekom-it tek kompania turke, pas më shumë se 600 ditësh bllokimi të kontratës. Edhe pse gjatë dy viteve të fundit kjo strukturë publike kishte dalë me fitim, çmimi i shitjes nuk ndryshoi. Mbeti ai i pari, 120 milionë euro. Biznesi njohu këto muajt e fundit procedura më të zhdërvjellëta për regjistrimin e tij, por kjo ishte pak gjë në krahasim me diskriminimin që iu bë në ndarjen e padeklaruar "biznes blu" dhe "biznes rozë" prej shumë titullarëve të qeverisë së sotme. Këto syze partiake të qeveritarëve i privuan një pjesë të madhe të biznesit serioz e të konsoliduar tek ne shanse që të luftonte për tregje të reja brenda vendit e më tej, në rajon e Evropë.
Nuk është fjala thjesht tek tenderat qeveritarë për rrugët apo porosi të tjera publike. Një biznes serioz i paragjykuar politikisht nga qeveria në fuqi sheh t‘i zbehen edhe mundësitë për bashkëpunime e pjesëmarrje kapitali të investuesve të huaj që ai mund të tërheqë në Shqipëri, pse askush nga kompanitë e huaja edhe ato më të mëdhatë nuk do të parapëlqente t‘i hynte një investimi me një partner serioz, por ama që nuk është "darling" i qeverisë. Në këtë këndvështrim, shumë mundësi për investime të gjera në Tiranë dhe në qytete të tjera kryesore të vendit janë zvogëluar për shkak të këtyre syzeve apo pasioneve partiake. Po peng i lojës politike mbeti edhe odisea e lejeve të ndërtimit në kryeqytet, e vonuar me muaj të tërë, duke larguar shumë kapitale me vlerë edhe disa dhjetëra milionë euro.
Nga ana tjetër, turizmi dhe eurot e shtuara nga ky aktivitet panë këtë vit një vërshim të paparë të shqiptarëve jashtë vendit për pushime. Ato rreth 650 milionë euro (ende nuk dihet shifra e saktë e parasë së hyrë nga turizmi deri më 15 dhjetor 2007) të futura në Shqipëri pothuajse u zeruan nga po aq para, që mbi 58 mijë shqiptarë harxhuan në plazhet e Antalias, Malit të Zi, Kroacisë apo dhe në bregdetin liqenor të Maqedonisë. I vetmi sektor që i rezistoi sfidës së mungesës së dritave dhe infrastrukturës ishte ai bujqësor, me një shtim të ndjeshëm të ofertës shqiptare për fruta gjatë gjithë vitit. Kështu, limonët e shijshëm dhe me lëng shqiptarë larguan gati përfundimisht ato gjysëm të thara që vinin deri dhe nga Argjentina. E njëjta gjë mund të thuhet për frutat e tjera, si molla, një pjesë të mandarinave, dardha e me radhë. Por kjo prurje në rritje e prodhimit vendas nuk u shoqërua me ulje çmimesh.
Në të kundërt, produkte që duhet të ruhen në frigorifer (gjalpi industrial, vaji etj) pësuan rritje të ndjeshme deri edhe në 25-40 përqind. Inflacioni duroi dhe nuk u ngjit vërtik vetëm nga eurot e investimeve në para e kapital që, me mijëra emigrantë vendosën të kryejnë në atdhe, duke u kthyer përfundimisht apo duke ua kaluar paratë për biznes të afërmve të tyre këtu. Por nëse spiralja e çmimeve vijon me të njëjtin ritëm rritjeje edhe gjatë 2008-ës, nuk ka më investim emigrantësh që ta mbajë lekun të fortë dhe inflacionin që të mos shkojë dyshifror. Së fundi, konsumi shqiptar njohu majat e tij këtë vit, megjithë periudhën e "skarlatinës" energjitike. Kjo falë rrjeteve të supermerkatove që po shtrihen jo vetëm në Tiranë e Durrës, por edhe në qytetet e tjera kryesore të vendit. Supermerkatot do të jenë kryefjala tregtare e vitit 2008, për çmimet më të ulura të mallrave deri diku cilësore që ato sjellin. Patjetër që kjo do të ketë pasoja në vetëpunësimin e shqiptarëve në rrjetin kapilar të mini-dyqaneve e kioskave që ata kanë ndërtuar në çdo cep pallati dhe që siguron te ardhura për dhjetëra mijëra vetë. Edhe pse ky rrjet do të mbijetojë nga tradita e shqiptarëve për të mos blerë mallrat kryesore ushqimore e industrialë një herë në javë, sërish ai do të pësojë goditje dhe lypset që qeveria të mendojë nxitje nismash të biznesit për hapje vendesh të reja pune, pse papunësia në vitin 2008 do të vijojë të bëjë kërdinë.