E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazia gjinore, realitet i ri apo utopi e re...?

Arritja e barazisë gjinore sot shtrohet me forcën e një imperativi jo thjesht nga "logjika matematike", pra nga fakti se gratë përbëjnë gjysmën e shoqërisë, por nisur nga koncepti modern i vlerësimit të të drejtave të tyre si pjesë integrale e të drejtave të njeriut. Përtej dallimit mashkull-femër dhe burrë-grua qëndron një thelb i përbashkët njerëzor dhe human. Është pikërisht kjo "esencë" njerëzore ajo që i bën dhe duhet t‘i bëjë gratë mbartëse legjitime të të drejtave të barabarta me burrat në kontekstin e një shoqërie të lirë dhe demokratike.

Kombet e qytetëruara dhe me demokraci të zhvilluar kanë treguar se arritja e këtij synimi nuk është një utopi. Sigurisht që mjeti për realizimin e këtij qëllimi është krijimi i shoqërisë së mundësive të barabarta për të dyja gjinitë dhe nëpërmjet bashkëveprimit të të dyja gjinive, të burrave dhe grave, në të gjitha fushat dhe sferat e organizimit shoqëror. Barazia e vërtetë gjinore realizohet vetëm në kushtet e lirisë. Kalimi nga diktatura në demokraci ishte kalimi "nga mbretëria e domosdoshmërisë në atë të lirisë" edhe për gratë shqiptare, të cilat, duke u bërë pjesë e këtij ndryshimi epokal, projektuan shpresa të reja dhe një perspektivë të re për arritjen e barazisë gjinore.

Në realitetin e ri social-politik të këtyre 17 viteve në demokraci janë krijuar shanse dhe mundësi të reja për afirmimin e rolit të gruas në shoqëri, janë shembur mjaft tabu të së kaluarës dhe po strukturohet një kulturë e re e afirmimit të barazisë gjinore. Tashmë problemet gjinore janë vendosur në një perspektivë të re institucionale dhe ligjore. Dimensionet e lirisë janë zgjeruar, shoqëria është më e vetëdijesuar për të drejtat e grave dhe rolin që ato duhet të kenë në shoqëri. Por ky proces ecën përmes vështirësive dhe kontradiktave.

Në shoqërinë shqiptare me orientim ende të fuqishëm maskilist, me doza të forta të mentalitetit tradicional dhe një "matrice sociale" të paurbanizuar, kultura atavike që legjitimon pushtetin e burrave vazhdon të mbijetojë dhe prodhojë steriotipet gjinore, dhunën, diskriminimin dhe pabarazitë me gjininë tjetër. Prania ende e fuqishme e steriotipeve gjinore dhe dhunës në familje është dëshmia më e qartë se problemi i pabarazisë gjinore është prezent, strukturor dhe kompleks.

Një nga shkaqet e lëvizjes së ngadalshme në rrugën e emancipimit shoqëror është fakti se shumë aktivitete, konferenca, seminare dhe aksione të fokusuara në çështjet gjinore u adresohen vetëm grave dhe konceptohen si çështje ekskluzive të grave. Promovimi i të drejtave të grave dhe nismat për përmirësimin e statusit të tyre në shoqëri shpesh bëhet nga këndvështrime feministe. Rrallë ndodh që në aktivitete të organizuara për probleme të barazisë gjinore të jenë të ulur në një tavolinë dhe diskutojnë së bashku burrat dhe gratë. Adaptimi i një qasje që sjell së bashku në tavolinë burrat dhe gratë, është parakusht për transformimin e shoqërisë dhe kalimin nga kultura maskiliste në një kulturë të bazuar në barazinë gjinore.

Fakti që të drejtat e grave janë legalizuar si pjesë integrale e të drejtave të njeriut, është një hap progresiv në rrugën e zhvillimit demokratik të vendit. Por retorikat patetike për respektimin e të drejtave të grave nuk mund të fshehin realitetin gri, disavantazhet, pengesat dhe problemet sociale me të cilat ballafaqohen femrat në përpjekjet e tyre për pjesëmarrje dhe status të barabartë në shoqëri. Tranzicioni traumatik shqiptar ka prodhuar dukuri dhe problematika të reja sociale, sikurse janë tërheqja e grave nga jeta ekonomike dhe rreziku i rikthimit në strukturat patriarkale, sidomos në zonat rurale, zgjerimi i frikshëm i përmasave të dhunës në familje dhe trafikimi i femrave për qëllime prostitucioni dhe shfrytëzimi seksual.

Procesi i kalimit nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut është shoqëruar me dy prirje të cilat shkojnë në kahe të kundërt me prirjet analoge në vendet industriale të zhvilluara. Edhe pse vitet e fundit ka një rritje të ndjeshme të numrit të grave të punësuara, statistikat e papunësisë të krahasuar ndërmjet të dy gjinive tregojnë se femrat janë më të prekura nga ky fenomen, i cili ndikon ndjeshëm në "feminizimin" e varfërisë dhe desocializimin e grave.

Prirja tjetër është rritja e numrit të grave të punësuara në ekonomitë shtëpiake (bujqësi) dhe njësitë e vogla të biznesit, shumica e të cilave janë pronë e burrit. Tërheqja e grave nga sfera e punës dhe kthimi në modelin e familjes tradicionale dobëson pavarësinë ekonomike, e cila është faktor esencial për afirmimin e personalitetit dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në jetën e vendit.

Një tregues tjetër i (pa)barazisë gjinore është shpërndarja e mundësive për ndryshimin e statusit social. Në kushtet e shoqërisë pluraliste dhe demokratike shanset dhe mundësitë për ndryshimin e sistemit të statuseve sigurisht janë të hapura për të dyja gjinitë, por ato nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë dhe simetrike. Jo pak gra në përpjekje për t‘u përshtatur me kushtet dhe kërkesat e ekonomisë së tregut kanë arritur suksese, duke u afirmuar si drejtuese të afta në jetën politike, shoqërore, kulturore dhe në botën e biznesit. Por analizat dhe vëzhgimet dëshmojnë se janë pikërisht burrat që kanë arritur të ndryshojnë dhe ngrihen më shpejt në hierarkinë statusore, duke zotëruar vende pune që janë më të paguara, duke siguruar pozicione vendimmarrëse në jetën politike, në sferën e administratës publike dhe në botën e biznesit. Ky realitet dëshmon për barrierat sociale dhe "kostot" më të larta të përpjekjeve që duhet të bëjnë femrat për të afirmuar personalitetin në një shoqërie të strukturuar historikisht për dominimin e meshkujve. Publicistja dhe gazetarja e njohur, Oriana Falaci, në librin e saj "Seksi i shpërfillur", me mprehtësi nënvizonte se, ndërsa për burrat problemet me të cilat përballen shkaktohen nga statusi social, ekonomik dhe përkatësia racore, për gratë problemet dhe pengesat vijnë pikërisht prej gjinisë, pra nga fakti i të qenit femër!

Statusi dhe roli dytësor i gruas në shoqëri nuk është një "aksident", por produkt i organizmit strukturor dhe funksionimit të shoqërisë, është shprehje e një kulture të tërë të "çimentuar" në rrjedhën e historisë, e cila ka legjitimuar pozitën superiore, dominuese dhe pushtetin e burrit në familje në sferat social-ekonomike dhe politike. Historikisht, mbi bazën e ndarjes tradicionale të roleve gjinore është ngritur struktura e organizimit të jetës në familje dhe më tej ky model është transplantuar dhe fuqizuar në jetën sociale, ekonomike dhe politike. "Fataliteti" i dallimit biologjiko-seksual te mashkullit dhe femrës duket sikur ka "vulosur" pandryshueshmërish pozitën e pabarabartë të gruas me burrin në shoqëri. Progresi dhe arritja e barazisë reale gjinore në tri fushat bazë, në familje, në fushën social-ekonomike, si dhe në jetën politike dhe publike, nuk mund të vijë spontanisht dhe as vetëm nëpërmjet shpresave për iluminimin e shoqërisë. Sigurisht që në promovimin e të drejtave të grave dhe parandalimin e formave më ekstreme të shkeljes së këtyre të drejtave, sikurse është dhuna gjinore, lipset më shumë angazhim për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë.

Transformimi kulturor i shoqërisë është një proces i gjatë dhe kompleks dhe si i tillë kërkon jo vetëm apel, por edhe përmirësim të instrumenteve ligjore, ngritjen e strukturave mbështetëse dhe krijimin e barazisë së mundësive për punë, karrierë, vendimmarrje dhe përfaqësim. Shoqërisë tonë do t‘i duhet të përshkruajë një rrugë ende të gjatë për të mbërritur në atë "stacion" të historisë, ku barazia gjinore të jetë pranuar si një realitet i ri, ku burrat dhe gratë të kenë të njëjtat detyrime dhe të njëjtat privilegje, të njëjtat mundësi reale për afirmim të personalitetit dhe pjesëmarrjes në të gjitha sferat e jetës shoqërore.

Arritja e këtij synimi dhe krijimi i një realiteti të ri social nuk mund të pritet vetëm nga angazhimi i institucioneve shtetërore. Përfshirja më gjerësisht e shoqërisë civile, pjesëmarrja e komunitetit dhe marrja e përgjegjësive nga pushteti vendor, fuqizimi i familjes dhe nxitja e një kulture të re të respektimit të të drejtave të grave, janë çelësi për të çuar përpara aksionin civil për arritjen e barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës. Vetëm në kontekstin e këtij aksioni permanent dhe gjithëpërfshirës do të mund të parandalohen dhe eliminohen gradualisht krimet në familje dhe format e dhunës gjinore. Në të kundërt, aspiratat dhe strategjitë për arritjen e barazisë gjinore sipas standardeve dhe koncepteve bashkëkohore, do të mbeteshin thjesht një utopi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›