E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjakmarrja, vetëizolohet familja e kërcënuar

Të zhgënjyer nga policia dhe të gjitha institucionet shtetërore, një familje në Oblik të Shkodrës ka mbyllur të gjitha dyert dhe dritaret e shtëpisë dhe nuk pret më asnjë ndihmë. Familja Murriqi nuk pranon më nga shteti askënd. Asnjë përfaqësues i shoqatave të pajtimit të gjaqeve nuk troket më në derën e familjes Murriqi. Ata s‘kanë më besim tek askush. Të ngujuar, presin çfarë do t‘u sjellë fati. Një vit e gjysëm më parë, përfaqësuesit e familjes Murriqi lanë kullën ku ishin ngujuar dhe së bashku me gazetarët e "Fiks Fare" shkuan në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Në zyrën e ish-drejtorit të policisë së Shkodrës, zotit Ahmet Prençi, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, burrat e familjes Murriqi depozituan një denoncim për kërcënim personi, kundër gjakësit të tyre. Policia e mirëpriti këtë denoncim, sepse sapo ishin krijuar strukturat kundër gjakmarrjes në këtë drejtori policie. Por këto struktura vetëm evidentojnë rastet e gjakmarrjes, sepse askush nuk mund të ndërhyjë e të bëjë diçka për frenimin e këtij fenomeni.

Policia regjistroi denoncimin e familjes Murriqi. Para kameras së emisionit "Fiks Fare", ish-drejtori i policisë së Shkodrës, Ahmet Prençi, premtoi se do të merrte të gjitha masat për të çliruar nga kërcënimi i gjakmarrjes familjen Murriqi. Por sot, një vit e gjysëm pas depozitimit të këtij denoncimi, kjo familje vazhdon të jetë e ngujuar. Hetimi i nisur pas denoncimit në drejtorinë e Policisë së Shkdorës është pushuar. Akuza për kërcënim personi ndaj fisit Murriqi nuk u hetua.

Tani askush nuk ta hap sot derën në shtëpinë e fisit Murriqi në Oblik të Shkodrës. Dy vjet më parë, në këtë shtëpi ka qenë për vizitë edhe ish-Presidenti Alfred Moisiu. Përderisa as Presidenti i Republikës nuk mundi t‘i jepte dot zgjidhje problemit të tyre, askush tjetër nuk mund t‘i ndihmojë; as mediat, as shoqatat, as policia. Në bazë të Kodit Penal, edhe njerëzit që kërcënojnë me gjakmarrje dënohen. Eshtë pikërisht neni 83 i këtij Kodi, që dënon me 3 vjet heqje lirie për kërcënim personi. Por as ky nen nuk e frenon dot gjakmarrjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›