Dita Europiane e Gjuhëve, Kumbaro: Çdo gjuhë, dritare e re drejt kulturave

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Sot shënohet Dita Europiane e Gjuhëve, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe nxitjen për përvetësimin e gjuhëve të huaja.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale theksoi se kjo ditë është e veçantë edhe për të si profesioniste e gjuhëve të huaja, ndërsa vuri në dukje se Dita Europiane e Gjuhëve të Huaja është një kujtesë e bukur se çdo gjuhë është një dritare e re drejt kulturave, miqësive dhe mundësive pa kufij.
“Gjuhët hapin zemrat dhe mendjet” është lajtmotivi i këtij viti vendosur nga Këshilli i Europës që Kumbaro e cilësoi si një e vërtetë që na bashkon të gjithëve.
“Sepse gjuha, që jeton dhe zhvillohet bashkë me ne, nuk është thjesht fjalë – është një mënyrë për të zbuluar botën, një çelës që hap dyert e qytetërimeve”, tha Kumbaro.
Dita Europiane e Gjuhëve të Huaja festohet çdo 26 shtator, që prej vitit 2001.
Kjo ditë është vlerësuar si një ditë nxitëse, por dhe gjithë përfshirëse, e cila mbështet nxënësit që të arrijnë potencialet e tyre dhe të luajnë një rol aktiv në shoqëritë e ndryshme dhe demokratike.
Qëllimet që ka kjo ditë janë të forcojë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mësimit të gjuhës në mënyrë që të rriten shumë gjuhësia dhe mirëkuptimi ndërkulturor; të promovojë diversitetin e pasur gjuhësor dhe kulturor të Evropës; të nxisë të mësuarit gjatë gjithë jetës brenda dhe jashtë shkollës.
Gjithashtu kjo ditë ju jep gjithsecilit prej jush një mundësi për të vlerësuar dhe promovuar të gjitha gjuhët dhe kulturat në Europë.
/k.s/j.p/