Gjyqtarët, vlerësime për kufizimin e mandatit të kryetarëve
Vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kufizimin e mandatit të kryetarëve të gjykatave në vend, në bazë të të cilit 14 titullarë do të duhet të lënë pozicionin e tyre funksional është pritur pozitivisht nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë. Gjin Gjoni, anëtar i kryesisë së kësaj shoqate tha dje për "Shqip", se vendimi është në rrjedhën logjike të reformës në drejtësi dhe për më tepër mishërim edhe i konsensusit politik të arritur në Parlament. "Është krejt normale që të ketë një mandat të përcaktuar për drejtuesit e gjykatave, për sa kohë që ky mandat është duke u diskutuar edhe për kryeprokurorin dhe është në fuqi edhe për drejtuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë", tha Gjoni. Gjithsesi, ai shpjegon se ky vendim nuk cenon pozicionin e kryetarëve si gjyqtarë. Pra, ata do të vazhdojnë të jenë gjyqtarë pranë gjykatave përkatëse duke vijuar punën në profesionin e tyre. "Ata nuk janë shkarkuar, sikurse është komentuar gabimisht në opinionin publik. Atyre thjesht u është kufizuar mandati brenda një afati 4-vjeçar, por mbeten gjyqtarë", u shpreh Gjoni.
Dy ditë më parë në mbledhjen e radhës, KLD-ja ka materializuar diskutimet e shumta lidhur me mandatin e përcaktuar të kryetarëve të gjykatave, duke e caktuar atë në 4 vjet. Si rezultat i kësaj lëvizjeje, 14 kryegjyqtarëve të cilët kanë më shumë se 4 vjet në këtë pozicion u ndërpritet mandati. Por vendimi duket se nuk i privon ata nga e drejta për të rikandiduar për postin që sapo kanë lënë. Ata mund të paraqesin sërish kandidaturën dhe të konkurrojnë për të fituar një mandat të dytë për drejtimin e gjykatave respektive. Kjo pasi në vendimin e KLD-së është lënë krejt e hapur një mundësi e tillë, por edhe sepse në të nuk përcaktohet asnjë numër fiks mandatesh që mund të fitojë një gjyqtar për të drejtuar një gjykatë të caktuar. Në këtë mënyrë, nga Shoqata e Gjyqtarëve vlerësohet se nuk ka asnjë privim nga të drejtat e ligjshme për kryetarët që do të lënë vendet e tyre.
Ndërkaq, për Gjin Gjonin, kufizimi i mandatit të kryegjyqtarëve është një ndërmarrje e rëndësishme, e cila u hap rrugën të rinjve për të synuar rritjen në karrierë, duke kandiduar për postet drejtuese, por në të njëjtën kohë duke krijuar premisa për mënyra të reja drejtimi dhe administrimi të gjykatave. Sipas tij, do të ishte një arritje pozitive e reformës sjellja pranë gjykatave të formave të reja dhe efikase të menaxhimit të tyre. Kjo, sigurisht, pa mohuar ato që janë arritur deri tani në drejtim të përmirësimit dhe modernizimit të administratës gjyqësore.
Vendimi i marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka çuar drejtpërdrejt në nevojën për zhvillimin e konkurrimit për plotësimin e vendeve që mbeten vakant nga kufizimi i mandateve. Në këtë mënyrë, kupola drejtuese e gjyqësorit ka shpallur fillimin e procedurës për konkurrim në gjykatat e faktit në rrethet: Berat, Dibër, Gjirokastër, Kavajë, Krujë, Kukës, Kurbin, Lezhë, Mat, Pogradec, si dhe në gjykatat e Apelit në Gjirokastër, Korçë, Gjykatën e Apelit Ushtarak dhe Apelit për Krime të Rënda.
Mandati
Në maj
ikën edhe
Simoni
Një nga drejtuesit e gjykatave, i cili është në fund të mandatit të tij është edhe kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Sandër Simoni. Sipas burimeve nga KLD, ai tashmë ka mbushur afatin 4-vjeçar në krye të kësaj gjykate, por nuk i është ndërprerë mandati, për shkak se në muajt e parë të punës ai ka qenë i komanduar në këtë detyrë. Të njëjtat burime thonë se në muajin maj plotësohet periudha e përcaktuar dhe Simonit do t‘i duhet të lërë drejtimin e gjykatës. Gjithsesi, ai sipas vendimit të KLD-së do të ketë mundësinë e rikandidimit për pozicionin në fjalë. Sandër Simoni ishte drejtuesi i parë i Gjykatës së Krimeve të Rënda, që nga momenti i krijimit të saj rreth katër vjet më parë. Gjatë kësaj periudhe, ai ka marrë vlerësime pozitive për menaxhimin e kësaj gjykate, e cila duhet thënë se është ndeshur me mjaft vështirësi për shkak të një përvoje të re që po futej për herë të parë në vend.