Dobjani dhe Alibeaj: Dënime të ashpra kundër torturës në burgje
Avokati i Popullit i propozon Ministrisë së Drejtësisë funksionimin e ligjit që ndalon traumën dhe torturën në burgjet shqiptare. Megjithëse ligji është miratuar në vitin 2006 nga Kuvendi i Shqipërisë, ky mekanizëm ende nuk ka funksionuar. Për këtë arsye Avokati i Popullit krijoi një sektor kundër traumës dhe torturës, duke marrë një personel prej pesë personash. Ndërkohë dje është zhvilluar edhe një tryezë e rrumbullakët, ku komisionarët e Dobjanit kanë kërkuar me "forcë" implementimin e këtij ligji dhe funksionimin e tij. Në takim mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili pranoi "fajin" e mosfunksionimit të këtij ligji, ndërkohë që pranoi se institucioni që drejton do të bëjë përpjekjet maksimale që ligji në fjalë të zbatohet në çdo qeli në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë takimi u ndal në punën e bërë nga shteti shqiptar për realizimin e detyrimeve që rrjedhin nga Protokolli opsional i Konventës kundër torturës dhe trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues.