Al Gore, mes eko-dollarëve, internetit dhe televizionit
Kohë të vështira për Al Gorin,
pasi një kongres shkencëtarësh
skeptikë mbi efektin serrë,
kanë kërkuar me ngulm që t‘i
hiqet çmimi "Nobel", duke e cilësuar
njëkohësisht si përgjegjësin kryesor të
blofit propagandistik që është krijuar
rreth problemit të ngrohjes globale. Në
të njëjtën kohë, një gazetë e djathtë, e
njohur si një nga kundërshtaret e saj,
"New York Post" e Rupert Murdoch, ka
shkruar për një rihyrje të tij në politikë,
duke e cilësuar ish-zëvendëspresidentin
e mundur nga Xhorxh Bush në zgjedhjet
presidenciale të vitit 2000, si kandidatin
e vetëm në gjendje të rregullojë krizën e
thellë të hapur në partinë demokratike
nga përplasja mes Obamës dhe Hilarit,
edhe pse Al Gore gjithmonë ka deklaruar
se nuk ka asnjë arsye për t‘iu kthyer
sërish politikës. Kur nuk është i "zënë"
të mendojë për të provuar sërish rrugën
drejt Shtëpisë së Bardhë, apo të predikojë
kundër shkatërrimeve që emisionet
e dyoksidit të karbonit mund të provokojnë
në tokë, Al Gore është një financier
i urtë dhe i zgjuar. Pasuria e tij është
vlerësuar rreth 100 milionë dollarë, një
shifër kjo aspak befasuese në politikën
amerikane. Por nëse merret parasysh
se në momentin kur u largua nga posti
i zëvendëspresidentit, pas humbjes me
Bush, Al e Tipper, domethënë familja
Gore, kishin gjithsej 2 milionë dollarë,
diferenca është goxha e madhe. Më
e pakta që mund të thuhet, është se
largimi nga Shtëpia e Bardhë e ka bërë
pasanik. Sipas agjencisë "Blooberg", të
gjitha këto para i dolën dhe i tepruan
që të investonte 35 milionë dollarë për
një fond të specializuar në një shoqëri
financiare, që merret me prodhimin e
produkteve eko-kompatibile. Por, nuk
është vetëm "kryqëzata" mbi ambientin
ajo që e ka bërë të pasur Al Gorin.
Të ardhurat nga libri "An incovenient
truth" dhe të dokumentarit me të njëjtin
emër, që e ndihmuan të merrte përveç
çmimit "Nobel" edhe një "Oscar", janë
të destinuar, sipas zëdhënësit të tij, t‘i
shkojnë një instituti për mbrojtjen e
klimës. Por, ndryshe ndodh me shpërblimet
e konferencave, që si shumë
ish-politikanë amerikanë, Gore mban
anembanë botës jo vetëm për temat
mbi ambientin. Për shembull, konferenca
e fundit ishte për një libër "The
Assault on Reason", një tjetër sukses
në fushën e publicistikës ku trajtohet
debati ideologjik në politikën amerikane.
Për çdo konferencë të zhvilluar,
Gore, fut në xhep rreth 175 mijë dollarë.
Një shifër e konsiderueshme, por edhe
duke i shtuar këtu dhe të ardhurat nga
e drejta e autorit nuk mjaftojnë për të
formuar pasurinë prej 100 milionë dollarë.
Atëherë nga vijnë gjithë këto lekë?
Përgjigjja është se nuk janë as lufta dhe
as betejat për çështjet ambientale ato
që e kanë pasuruar Al Gorin, por interneti.
Lidhjet e vendosura në kohën kur
ishte senator, pastaj zëvendëspresident
për t‘u bërë i famshëm në rrjet i dhanë
më vonë frytet e tyre. Pasi u largua nga
Shtëpia e Bardhë, Gore hyri në këshillin
administrativ të "Apple", u bë këshilltar
i "Google"-it dhe zëvendëspresident i
"Metropolitan West Financial Inc" dhe
që nga nëntori i kaluar është partner
i Kleiner, Perkins, Caufield &Byers,
shoqëritë më e rëndësishme të "Silicon
Valley"-t. Të gjitha vende që i garantojnë
të ardhura të majme. Por nuk janë as
këto ato që e kanë bërë të pasur. Më
tepër sesa rrogat, ato vende kanë qenë
të rëndësishme, sepse i kanë garantuar
zëvendëspresidentit të drejtën e "stock
options‘, në rastin e "Apple" dhe "Google",
çmimet e mëparshme të kuotimit
të tyre në bursë. Me siguri që nga këto
opsione ka dalë edhe 35 milionëshi që
ish-zëvendëspresidenti ia ka besuar
një tjetër miku të vjetër të "Silicon
valley"-t, ish-presidentit të e-Bay,
Jeffrey Skoli, që ka qenë edhe producenti
i dokumentarit "An incovenient
truth", dhe themeluesi i "Capricorn Investment
Group", shoqëria financiare
që prodhon produkte eko-komatibile,
pikërisht aty ku kanë përfunduar lekët
e Al Gorit. Por përveç internetit dhe
efektit serrë, ish-politikani është duke
nxjerrë shuma të majme edhe nga një
iniciativë tjetër: "Current", rrjeti televiziv
i themeluar prej tij në vitin 2002,
pritet që t‘i buzëqeshë brenda vitit.
Edhe një herë, ajo që udhëheq Gorin
është politika: "Courrent", i destinuar
kryesisht për të rinjtë, do të ndryshojë
mënyrën tradicionale të të bërit televizion
të mediave të mëdha. Dhe në fakt,
funksionoi për mrekulli. Televizioni
fitoi një "Emmy" (Oskar i televizioneve)
ka krijuar një mënyrë të re të të bërit
televizion dhe ndihet gati për t‘u kuotuar
në bursë, edhe pse financiarisht
suksesi ka qenë më i kufizuar. Sipas të
përjavshmes "Business Week", në tre
vitet e fundit televizioni ka humbur të
paktën 30 milionë dollarë. Kjo nuk e
cenon aspak të ardhmen e tij që shumë
e konsiderojnë brilante, por e shtyn
gazetën të pyesë nëse një ndërmarrje
me humbje mund t‘i garantojë presidentit
të saj (Gore) një fitim prej një
milion dollarësh në vit. Në të vërtetë,
drejtues që paguhen shumë pavarësisht
bilancit të ndërmarrje, në Amerikë ka
me shumicë. Pastaj nuk ka asnjë ilegale
për përdorimin në industrinë private të
kompetencave të fituara gjatë karrierës
politike. Ndryshe nga shumë kolegë të
tij, Gore, në mënyrë koherente shkoi
tek "Apple" dhe jo tek "Exxon". Me pak
fjalë u soll si një qytetar i zakonshëm.
Në fakt, do të ishte më e denjë për historinë
e një ish-zëvendëspresidenti,
nëse zëdhënësi i tij të mos fshihej pas
statusit të qytetarit të zakonshëm për
t‘u mohuar gazetarëve informacionet
mbi fitimet e zëvendëspresidentit dhe
investimeve të tij. Edhe transparenca
është një mesazh për paqe.