Rikthehet Ylli Kambo: Dënimet e mia të padrejta
Nuk ka hequr dorë nga "lufta" për të rifituar lirinë, megjithëse ka dështuar në disa tentativa rresht. Njëri prej ish-bosëve më të dëgjuar të firmave piramidale që zhvilluan aktivitetin e tyre kriminal në vitin 1997 në vendi tonë i është rikthyer dyerve të gjykatës me kërkesën e ripërsëritur për të rrëzuar vendimet e dënimit të tij, por kësaj radhe në një formë të re juridike, më të ndryshme nga herët e kaluara. Dje, në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet është hedhur shorti për gjykimin e padisë së ish-bosit të firmës piramidale "Kambo Marshall". Ky i fundit ka kërkuar pavlefshmëri absolute të akteve administrative dhe konkretisht të dy vendimeve të dënimit të tij që janë marrë në vitet 1998 dhe 2001.
Sipas padisë së depozituar në gjykatë, Kambo pretendon se gjatë zhvillimit të proceseve ai ka qenë jashtë shtetit dhe prokurori i çështjes nuk i ka dërguar fletë-thirrje për ta vënë në dijeni lidhur me to. Në të njëjtën kërkesë, ish-bosi i firmës piramidale akuzon se ai është gjykuar pa prezencën në seancat gjyqësore të një avokati mbrojtës dhe kjo i ka dëmtuar seriozisht proceset, madje duke i bërë ato të pavlefshme. Bazuar në këto kërkesa, Ylli Kambo, deklaron se është duke u mbajtur padrejtësisht në burg dhe kërkon nga gjykata e kryeqytetit që të lirohet. Shorti elektronik ka caktuar gjyqtarin Kreshnik Omari për të kryesuar trupin gjykues që do të marrë në shqyrtim këtë dosje.
57-vjeçari Ylli Kambo u arrestua në shkurt të vitit 2003 në Rumani dhe vetëm 2 muaj më pas u ekstradua në Shqipëri, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me dhjetë vjet burg për veprën penale të "vjedhjes në shuma të mëdha me anë të mashtrimit". Më pas Kambo e ka apeluar çështjen në Gjykatën e Apelit, ku ai është rigjetur fajtor, por i është zbritur dënimi në 7 vjet heqje lirie. Gjatë kësaj periudhe që ka qëndruar në burg, ai ka bërë disa kërkesa për të zhvleftësuar vendimet e dënimit, por pa rezultat. Vitin e kaluar, ai depozitoi një padi tjetër, ku synonte të përfitonte shuarjen e masës së dënimit si rrjedhim i një amnistie të miratuar nga Kuvendi shqiptar. Por Gjykata e Faktit të Tiranës e rrëzoi këtë kërkesë, pasi nuk e gjeti të mbështetur në ligj dhe në këtë mënyrë e la sërish në burg Ylli Kambon.
Firma piramidale "Kambo Marshall" ka pasur kulmin e aktivitetit të saj gjatë viteve 1996 -1997, kryesisht në qytetin e Beratit. Pas përfundimit të procesit të auditit të firmave piramidale, si dhe procesit gjyqësor në ngarkim të presidentit të firmës Ylli Kambo, rezultoi se kjo firmë kishte pasur 62 kreditorë, të cilëve u kishte marrë rreth 800 mijë dollarë. Në vitin 1999, duke ndier rrezikun e arrestimit, Ylli Kambo u largua nga Shqipëria dhe u shpall person në kërkim nga drejtësia shqiptare. Ai u arrestua në Bukuresht të Rumanisë dhe u ekstradua në vendin tonë në fund të prillit të vitit 2003.