E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqërohet kosovari i dyshuar për trafik

Një 58-vjeçar kosovar është shoqëruar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se merrej me trafikimin e mjeteve motorike dhe ka kryer një kallëzim të rremë pranë uniformave blu. Izet Emerllahu ka denoncuar para pak kohësh se mjeti i tij ishte vjedhur në Tiranë, ndërkohë që pas gjetjes së mjetit ka rezultuar se ai kishte bërë kallëzim të rremë. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 15.00, nga seksioni kundër vjedhjeve të automjeteve është shoqëruar si i dyshuar për "trafik të mjeteve motorike" dhe "kallëzim të rremë" shtetasi Izet Sejdin Emerllahu, 58 vjeç, lindur në Ranim të Kosovës dhe banues në Tiranë. "Ky person dyshohet se më datë 1 mars 2008 ka deponuar një kallëzim të rremë, duke deklaruar se i kanë vjedhur automjetin tip "Tojota Runner", me targë TR8535D", deklaroi grupi hetimor nga Policia e Tiranës. Sipas tyre, këto dyshime mbështeten në faktet e mbledhura nga uniformat blu. Ata shpjegojnë se mjeti i lartpërmendur, i cili është denoncuar si i vjedhur, është gjetur me datë 8 mars 2008, në servisin "Tryck" në autostradë, ku pronari i këtij servisi ka bërë deklarim se ky automjet ndodhet prej 2 vjetësh aty. Ndërkohë, policia thotë se për Emerllahun ka të dhëna se trafikon automjete kryesisht të tipit "Tojota" nga Kosova për në Shqipëri. Nga specialistë të këtij seksioni, aktualisht po punohet për dokumentimin e trafikut të mjeteve motorike të këtij personi. Sipas policisë, u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›