Pranga, dyshohej se po kryente një atentat
Një 25-vjeçar është prangosur nga Policia e Tiranës, pasi është kapur me një pistoletë pa leje dhe dyshohet se donte të kryente një atentat. Florenc Hoxha u kap në afërsi të Sanatoriumit në Tiranë, ndërkohë që me vete kishte një pistoletë "Mini Blow", të cilën e mbante pa leje. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se në këtë kuadër, për konsumim të veprës penale të "mbajtjes së armëve dhe municione pa leje" u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Florenc Gani Hoxha, 25 vjeç, lindur dhe banues në Sauk të Tiranës. "Arrestimi i tij u bë sepse në afërsi të Sanatoriumit është kapur nga shërbimet e seksionit operacional të Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, me një pistoletë tip "Mini Blow", model i vitit 2002, me një fishek në krehër. Këtë armë e posedonte pa leje", tha Policia. Sipas uniformave blu, u kryen veprimet procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale u bllokua pistoleta dhe krehri me fishekë.