E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen alarmet për bombë, bllokohet mësimi në dy shkolla

Rikthehen alarmet për bombë në shkollat e kryeqytetit, duke sjellë shqetësim për policinë. Dy alarme janë dhënë pikërisht dje, pas një periudhe të gjatë kohore prej disa muajsh. Policia e Tiranës tha se njëri prej alarmeve është dhënë në shkollën "Petro Nini Luarasi", ndërsa tjetri në shkollën "Karl Gega". Nxënësit e dy shkollave janë tmerruar dhe e kanë lënë mësimin përgjysmë, ndërkohë që pas kontrollit të ushtruar nga ekspertët xhenierë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, duke kuptuar se ato kanë qenë alarme të rreme. Kanë qenë dy telefonata anonime pranë shërbimeve policore, që i ka vënë në lëvizje uniformat blu dhe skuadrën e antiterrorit, të cilët kanë ushtruar kontroll për rreth dy orë në të dyja shkollat e kryeqytetit. Burimet e policisë thanë se telefonata e mbërritur në polici ka qenë më kamufluese se herët e tjera. Burimet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se alarmi për bombë u dha dje paradite. Një telefonatë anonime ka mbërritur në sallën operative të policisë kryeqytetase, ku telefonuesi ka deklaruar se eksplozivi do të shpërthente brenda gjysmë ore. Madje, telefonuesi ka deklaruar për uniformat blu se bomba ishte vënë në një nga ambientet e shkollës "Petro Nini Luarasi". Menjëherë pas këtij informacioni, shërbime të ndryshme të policisë, bashkë me ato të sektorit të antiterrorizmit, janë nisur për në vendin e ngjarjes dhe kanë bllokuar gjithë hyrje-daljet për në vendin e pretenduar se ishte vënë eksploziv. Shërbimet e rendit kanë bllokuar urgjentisht qarkullimin e të gjitha automjeteve, por nuk kanë lejuar as kalimtarët që të kalojnë në atë zonë, ku ndodhet edhe një bllok lokalesh e pallatesh. Për disa minuta vendi është vënë nën mbikëqyrjen e policisë, e cila nuk ka lejuar që aty të kalonin automjete dhe këmbësorë, duke evakuuar edhe nxënësit e shkollës. Policia ka deklaruar se është ngritur një grup pune për hetimin e kësaj ngjarjeje. Grupi hetimor ka ngritur menjëherë pistat për dokumentimin e alarmit të rremë. Sipas uniformave blu, një ndër pistat kryesore është ajo e dhënies së alarmit nga ndonjë i ri, i cili studion në këtë shkollë, ashtu siç ka ndodhur edhe herë të tjera. Kështu, policia ka marrë në pyetje disa të pranishëm në atë zonë dhe nxënësit e shkollës, por nuk ka mundur të identifikojë personin, i cili dha këtë alarm. E njëjta situatë është krijuar edhe në shkollën "Karl Gega". Por, edhe aty ka rezultuar alarm i rremë. Pas kontrollit të ushtruar nga policia, nxënësit kanë vazhduar mësimin normalisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›