E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëhiqet Bejko nga IMK, ministria nuk reagon

 

Komentet rreth dorëheqjes së tij, nga pozicioni i drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko i ka shmangur dje, një ditë pas marrjes së vendimit. Kërkesa e tij drejtuar ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, mësohet të jetë miratuar brenda dy orëve nga ministri. Ndërkohë nga burime pranë IMK-së mësohet, se dorëheqja e Bejkos është dhënë për mospërputhje konceptesh për administrimin e objekteve kulturore me ministrin Pango. Por as nga ministria nuk komentohet rreth këtij fakti. Bejko largohet nga IMK, pas më shumë se viti në krye të këtij institucioni. Ai u emërua në këtë detyrë pas shkarkimit të drejtorit të mëparshëm, Apollon Baçe, të cilin ministri Pango e akuzoi për shkelje të ligjit “Për trashëgiminë kulturore”. Një nga detyrat kryesore të IMK është miratimi i projekteve nga Këshilli i tij Shkencor, pa aprovimin e të cilit, projektet nuk mund të miratohen më pas nga KKRT-ja për investime që prekin edhe monumentet e kulturës. E nga të njëjta burime mësohet se kohët e fundit debatet mes dy titullarëve kanë qenë të shumta, përfshi këtu edhe rastin e ngritjes së një teleferiku në kalanë e Rozafës në Shkodër. Megjithatë i në njëjtës situatë ndodhet edhe largimi i drejtuesit të mëparshëm Apollon Baçes, të cilin ministri e akuzonte për shkelje detyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›