Ekspertë të huaj për vdekjen e vajzës nga bajamet
ZIRINA LLAMBRO
Ekspertë të huaj për të shqyrtuar vdekjen nga bajamet të Matilda Petritit. Urdhri i Mjekut i ka kërkuar ndihmë organeve homologe jashtë vendit për të shqyrtuar rastin e 17-vjeçares nga Pogradeci. Mjeket e njohur nuk kanë pranuar ekspertizën mjekoligjore, e cila konstatoi se vdekja e vajzës erdhi si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm. Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazi, deklaroi se dosja e mjekut, Xhevair Hoxhallari, i cili kreu operacionin me pasoja fatale do të gjykohet nga mjekë të huaj për të vërtetuar në është apo jo fajtor. “Kemi pasur kontestime nga një rreth i gjerë i bluzave të bardha, anëtarë të Urdhrit të Mjekut. Për pjesën e etikës profesionale që na takon ne ta gjykojmë, u kemi kërkuar ndihmë edhe homologëve tanë që kanë më shumë eksperiencë në raste të tilla”, tha Dine Abazi. Gjithçka u bë me dije gjatë takimit të djeshëm me delegacionin e Shoqatës Botërore e Mjekësisë, anëtare e së cilës pritet të bëhet shumë shpejt edhe vendi ynë. Aktualisht me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin e mjekut Hoxhallari nga detyra si mjek në QSUT. Ai pritet të shkojë në gjykatë për t’u marrë në pyetje si i pandehur ndaj akuzës së rëndë për vdekjen si pasojë e mungesës së vëmendjes ndaj pacientes Matilda Petriti. Adoleshentja humbi jetën tre javë pas kryerjes së operacionit në bajame. Duke vënë theksin në gabimet mjekësore përfaqësuesit e Urdhrit të Mjekut sqaruan se, këtë vit numri i denoncimeve nga pacientët rezulton të jetë më i larti ndër vite. Por ndëshkimet e bluzave të bardha që kanë kryer gabime mjekësore janë ende të pakta në numër. “Kjo ka ardhur për shumë arsye, por njëra prej tyre mbetet kufizimi i kompetencave e për rrjedhojë humbja e besimit të pacientëve ndaj këshillit të Urdhrit të Mjekut”, u shpreh Abazaj. Por përvoja botërore flet ndryshe. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Botërore të Shëndetësisë, mjeku gjerman, Otmar Kloiber, fajëson sistemin tonë shëndetësor për krizën e besimit që ka përfshirë pacientët shqiptarë. “Mjekët më mirë se kushdo e kuptojnë se kur kemi të bëjmë me një gabim mjekësor, njerëzor apo pakujdesi. Duhet të jenë vetë ata që të pranojnë këto gabime. Vetëm kështu do t’u kthehej besimi pacientëve”, u shpreh Kloiber.
“Jemi dakord për rishpërndarjen e mjekëve”
Në kuadrin e përmirësimit të sistemit, Urdhri i Mjekut mbështet reformën e Ministrisë së Shëndetësisë për rishpërndarjen në rrethe të bluzave të bardha. Sipas përfaqësuesve të kësaj strukture, stimulimi i mjekëve të rinj do të ishte më efektivi në realizimin e kësaj nisme. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shumë shpejt pritet të aplikohet reforma e re, në sajë të së cilës pas diplomimit mjekët të punojnë për një periudhe 4-vjeçare në zonat nga vijnë. Mungesa e mjekëve ka bërë që shumë pacientë në të gjithë vendin të kërkojnë ndihmë mjekësore pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Nuk kanë munguar rastet kur pacientët janë paraqitur me vonesë në QSUT. Pasojat për shëndetin kanë qenë të pakthyeshme. Pjesa dërrmuese e mjekëve janë të përqendruar në spitalet e Tiranës. Vetëm në QSU punojnë 800 bluza të bardha.