Masakër në Finlandë, 22-vjeçari vret 11 nxënës
Një student në Finlandë ka kryer një masakër të vërtetë në qytetin perëndimor, Kauhajoki, duke vrarë 10 nxënës dhe veten. Policia e ka gjetur djalin të plagosur në kokë, pasi ka tentuar të vrasë veten pas masakrës. Ai ka humbur jetën më pas në spital. Ky ishte rasti i dytë i përdorimit të armëve në shkollat finlandeze brenda një viti. Të shtënat kanë nisur rreth orës 10:54 të mëngjesit me orën lokale dhe menjëherë pas saj policia ka rrethuar të gjithë ambientin e shkollës, edhe pse për studentët e qëlluar ishte vonë. Ministrja e Brendshme, Anne Holmlund, tha se të paktën një person tjetër ishte plagosur në incidentin e shkollës rreth 330 kilometra nga Helsinki. 22-vjeçari ka qëlluar veten në kokë, pasi vrau dhjetë studentë të tjerë. Policia e kishte intervistuar një ditë më parë të dyshuarin, pasi ai kishte publikuar një video me armë në dorë në “YouTube”, ku ai paraqitej i veshur me të zeza, duke qëlluar me një armë. Në historinë e Finlandës ky ishte sulmi më vdekjeprurës gjatë kohëve të paqes. Vrasësi kishte lënë një tjetër video në “YouTube” vetëm dy orë para se të bënte sulmin. “Kjo është një ditë tragjike”, tha kryeministri Matti Vanhanen në një konferencë në Helsinki. Ky incident me dhunë ndodh rreth një vit, pasi një student tjetër nga Finlanda, i quajtur Peka Eric Ovinen, vrau 8 nxënës shkolle dhe pastaj edhe veten. 22-vjeçari Matti Saari thuhej se e kalonte pjesën më të madhe të kohës në kolegj duke u angazhuar me punë të ndryshme. Sipas presidentes së kolegjit, të gjithë nxënësit kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin dhe konsultime të shpeshta me një staf psikologësh, duke hequr çdo përgjegjësi nga institucioni për ngjarjen tragjike.