E Diel, 1 Nëntor 2026

Milano, kapet shqiptari me 13 kilogramë kokainë

 

ITALI – Një emigrant shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Mediat e vendit fqinj kanë bërë publik dje, lajmin për arrestimin e shqiptarit Arian Gjana, 27 vjeç gjatë një operacioni të policisë italiane të zhvilluar në Milano. Ai ka rënë në prangat e policisë për shkak se gjatë kontrollit të ushtruar në makinën me të cilën po udhëtonte shqiptari, janë gjetur dhe sekuestruar 13 kilogramë kokainë. Droga është gjetur e vendosur në një çantë dore ndërsa zotëruesi i saj nuk kishte bërë asnjë tentativë për ta fshehur atë. Sipas policisë italiane, emigranti shqiptar ishte prej kohësh në hetim për veprimtarinë e trafikut të lëndëve narkotike. Hetuesit konfirmuan se 27-vjeçari nga Shqipëria ishte duke lëvizur me një makinë “Opel Astro Station” kur u ndalua për kontroll pas informacioneve se në makinën e tij kishte drogë. Gjatë hetimeve, policia ka mësuar se destinacioni i mundshëm i lëndës narkotike ishte riviera e Milanos ose Rimini. Menjëherë pas arrestimit, shqiptari është mbyllur në burgun e “Kasettit” ndërsa autoritetet italiane po hetojnë linjën e trafikut ku bënte pjesë ai si dhe personat e tij bashkëpunëtorë në këtë veprimtari. Shqiptari i arrestuar në Milano nga policia italiane, mësohet se kishte disa kohë qëndrimi në Itali ku hetohej për trafik ndërkombëtar droge.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›