E Diel, 1 Nëntor 2026

“Urdhri Mjekut, ndihmë në “rritjen” e shëndetësisë”

 

“Rëndësia e pranisë së Urdhrit të Mjekut në jetën shëndetësore të vendit, ndikon dhe në një zhvillim të mëtejshëm, për t’ju afruar standardeve ndërkombëtare”, kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Ajo pati një takim me delegacionin e Shoqatës Botërore të Shëndetësisë (World medical Association). Edukimi i vazhdueshëm profesional, etika në trajtimin e pacientëve, promovimi i pavarësisë profesionale të mjekëve ishin temat kryesore që u diskutuan gjatë takimit. Këshilli i Urdhrit të Mjekëve shqiptarë, ka aplikuar që Shqipëria të pranohet si anëtare e rregullt me të gjitha të drejtat në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë mbledhjes që do të mbahet më 15-18 tetor të këtij viti. John Snaedal, presidenti i Shoqatës Botërore të Shëndetësisë në fjalën e tij gjatë takimit të djeshëm vuri theksin mbi atributet dhe funksionet e WMA (World Medical Association), si një organizatë ndërkombëtare, që përfaqëson mjekët nga e gjithë bota. Ajo është krijuar më 17 shtator 1947, ku mjekë nga 27 vende u mblodhën në Asamblenë e Parë të Përgjithshme të WMA-s në Paris. Aktualisht në Shoqatën Botërorë të Shëndetësisë marrin pjesë mbi 80 shoqata mjekësore kombëtare. Gjatë aktivitetit 61-vjeçar të saj, në asambletë e përgjithshme që mbahen çdo vit në vende të ndryshme të botës, ajo ka miratuar shumë deklarata dhe dokumente që i rekomandohen shoqatave kombëtare për zbatim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›