Rifillon puna për programin bërthamor
Koreja e Veriut ka informuar Organizatën për energji atomike, se do të rifillojë punën qendra bërthamore në Jongbjon. Ekspertët e huaj nuk do të lejohen të futen në repartet e qendrës. Dryrët janë hequr nga turbinat ndërsa aparatet për monitorimin janë çmontuar. Reaktorët në Jongbjon mund të prodhojnë pluton të domosdoshëm për ndërtimin e armëve bërthamore. Sipas qeverisë në Phenian, hapi është ndërmarrë për shkak se SHBA-të nuk e kanë hequr Korenë nga e ashtuquajtura listë e “shteteve maskara”.
AFGANISTAN
3 policë të vrarë nga shpërthimi i minës tokësore
Nga një shpërthim i një mine tokësore, të vënë nga kryengritësit talebanë në një vendroje policore në kryeqytetin afgan, Kabul, janë vrarë dje(e mërkurë) tre policë, ka bërë të ditur një zyrtar policie. Shpërthimi ndodhi kur një grup zyrtarësh policie po hetonin vrasjen e tre policëve të tjerë të vrarë gjatë natës në një sulm të talebanëve. Në këtë shpërthim janë plagosur disa policë, ndër të cilët edhe një oficer i lartë i qytetit, Ali Shah Paktiaval. Talebanët nuk e kanë komentuar incidentin.
JAPONI
Zgjidhet kryeministër i vendit Taro Aso
Ish-ministri i jashtëm, Taro Aso, është zgjedhur në parlament kryeministër i Japonisë. Dhoma e ulët votoi kryeministrin 68 vjeçar me votat e shumicës së liberaldemokratëve. Në fillim të javës Aso, i cili është i njohur edhe si nacionalist, u zgjodh kryetar i partisë liberaldemokrate. Kryeministri dhe kryetari i deritanishëm i partisë, Jasuo Fukuda ka dhënë dorëheqje të befasueshme, pas vetëm nëntë muaj në pushtet. Si pasardhës i mundshëm i Asos në postin e ministrit të jashtëm është Hirofumi Nakasone, i biri i ish-kryeministrit Jasuhiro Nakasone.
GJEORGJI
Sakashvili apel OKB-së që t’i kundërvihet Rusisë
Presidenti i Gjeorgjisë Mikhail Sakashvili u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të mos lejojnë që parimet e tyre të “shkelen” nga Rusia. Në fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, Sakashvili tha se ndërhyrja e Rusisë në Gjeorgji është “sfidë e përgjithshme”. “Megjithëse jemi vend i vogël, implikimet legale, morale, politike dhe të sigurisë që u shkaktuan nga invazioni nuk mund të jenë më të mëdha. Parimet e mishëruara në Kartën e KB e përfshijnë dhe moscënimin e kufijve sovranë, epërsinë e ligjit ndërkombëtar dhe përjashtimin e agresionit ushtarak”,- tha Sakashvili.
25 Shtator 2008