Kosova anëtare e BB-së dhe FMN-së vitin e ardhshëm
Kosova mund të bëhet anëtare e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar në periudhën prej 6 deri në 9 muaj. Kështu bëri të ditur në Prishtinë zv/presidenti i Bankës Botërore për Europë dhe Azi Qendrore, Shigeo Katsu, pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi. “Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore është duke vazhduar. Gjatë ditëve në vijim do të diskutojmë për shumë çështje teknike, por edhe për llogaritjet që duhet bërë. Indikacionet janë që ky proces të përfundojë pas gjashtë ose nëntë muajsh”,- ka thënë Shiego Katsu. Nga ana e tij, kryeministri Thaçi shprehu bindjen se Kosova së shpejti do të anëtarësohet në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Kosova jo vetëm që ka nevojë për mbështetje financiare, por ka nevojë dhe e meriton të jetë anëtare e plotë e Bankës Botërore dhe FMN-së. Ne kemi aplikuar për anëtarësim dhe dua të besoj se do të kemi përgjigje të shpejtë dhe pozitive që Kosova të jetë anëtare e Bankës Botërore”,- tha Thaçi. Zyrtari i lartë i Bankës Botërore, Shigeo Katsu kërkoi nga qeveria që mjetet e ndara në Konferencën e donatorëve të shfrytëzohen në mënyrë racionale. “Mjetet e Konferencës së Donatorëve tani duhet të shndërrohen në veprime dhe aksione konkrete në terren, pasi kështu do të përmirësohej jeta e kosovarëve” tha Katsu.
25 Shtator 2008