Jeremiç: “Nuk do t’i njohim Abkhazinë dhe Osetinë Jugore”
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se Serbia nuk do t’i njohë rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë Jugore edhe pse mbështesin Rusinë. “Nuk do ta bëjmë këtë gjë. Jemi mirënjohës për ndihmën ruse rreth çështjes së Kosovës, mirëpo këtu, para se gjithash, bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave nacionale. Ne nuk jemi pjesë e politikës ruse”,- ka thënë Jeremiç për gazetën austriake “Presse”. Shefi i diplomacisë serbe mendon se SHBA-të dhe Rusia nuk do të arrijnë marrëveshje për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, respektivisht Kosovës. “Rusia na ka bindur se nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës”,- ka thënë Jeremiç, duke shtuar se, Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, “me hapa diplomatike”.
25 Shtator 2008