E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri detyrat e qeverisë së re

I

Kalimi nga përfundimi i mandatit të kësaj qeverie në fazën e fillimit të funksionimit të qeverisë së re të Kosovës duhet të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Kjo është kërkesë e rëndësishme, që tejkalon këtë nivel, në fakt kjo është nevojë. Intensiteti i angazhimeve të qeverisë duhet ruajtur në nivel të lartë, sidomos tash në kohën kur vendi po hyn në një fazë të re të vendimmarrjes së madhe. Vazhdimësia e projekteve dhe planeve që kanë të bëjnë me çështjet madhore të vendit është e domosdoshme, ndërsa fryma e implementimit të obligimeve të brendshme e të jashtme duhet të mbizotërojë. Tashmë janë mbushur pesë javë prej datës së mbajtjes së zgjedhjeve të 17 nëntorit dhe mbi dy javë prej certifikimit të rezultateve për zgjedhjet e nivelit parlamentar. Qeveria e re nuk është bërë ende, ndërsa angazhimet dhe rezultatet që priten prej saj nuk janë në proporcion me mandatin real politik të saj në praktikë. Edhe qeveria e re, sikurse e tashmja, do të jetë në mes të pritjeve të përgjithshme të publikut dhe mandatit të saj praktik. Në të vërtetë, qeveria e re do të ketë mandat politik të përbërë prej tri komponentëve: ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë së brendshme, angazhimet përcjellëse pas shpalljes së shtetit të Kosovës, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe pjesërisht edhe lokale. Angazhimet tjera, që kanë të bëjnë në mënyrë më direkte me përmirësimin dhe ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës, sikurse edhe mirëqenies sociale realisht do të kenë pak energji në dispozicion.

II

Kapërcimi dhe ballafaqimi me të gjitha situatat e mundshme para dhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit është një detyrë mjaft domethënëse për institucionet e reja të vendit, sikurse edhe për ato permanente të sigurisë. Skenarët e ndryshëm që mund të vihen në praktikë, sidomos nga ana e Serbisë dhe serbëve lokalë, duhen parë si një rrezik potencial për destabilizimin e brendshëm të Kosovës. Ka një rrjedhë logjike të gjërave. Aksioni shkakton reaksion, reaksioni shkakton zinxhir aksionesh, ky zinxhir shkakton provokime tejet-nxitëse, që mund të kalojnë në thellim ekstrem të pakënaqësive të brendshme, gjë që do të mund të nxiste destabilitet dhe dhunë. Reflektimi i kësaj situate dhe këtyre skenarëve në mesin e popullatës së Kosovës mund të mos ndalet vetëm në rrethanat individuale, familjare apo grupore. Zgjerimi i reflektimit të tillë në nivelin e institucioneve të Kosovës dhe veçanërisht në ato që kanë për detyrë ruajtjen e sigurisë publike të Kosovës do të mund të merrte kahe të komplikimit më të thellë e më serioz të zhvillimeve në vend. Detyra e qeverisë së re bazohet në bashkërendimin e politikave, planeve, angazhimeve dhe aksioneve me institucionet e sigurisë, që janë jashtë autoritetit të vetë qeverisë. Në këtë mes, objektivat e qeverisë duhen reflektuar domosdoshmërisht në aspektin praktik të funksionimit edhe në Shërbimin Policor të Kosovës, Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, Policinë Ndërkombëtare në Kosovë, KFOR-in dhe kompanitë private të sigurimit.

II

Kompletimi i shtetësisë së Kosovës nuk është akt, por proces. Si të tillë duhen konsideruar edhe zhvillimet e pasdeklarimit të mëvetësisë, për të cilat do të duhen angazhimet gjithëpërfshirëse. Shpallja e pavarësisë së Kosovës duhet të përcillet me punë të madhe në një numër çështjesh të rëndësishme për funksionimin e shtetit. Angazhimet përcjellëse pas pavarësisë së Kosovës kanë të bëjnë me punën e madhe që institucionet e Kosovës duhet të zhvillojnë edhe brenda, edhe jashtë vendit. Brenda vendit, institucionet e Kosovës duhet të fillojnë dhe implementojnë detyrime të ndryshme, sikurse janë: simbolet, Kushtetuta, miratimi i ligjeve që dalin nga pakoja e Ahtisarit, fillimi i implementimit të politikave që përcaktohen në këtë pako (të cilën Kuvendi i Kosovës e ka miratuar me 99 për qind të votave, pos serbëve), riorganizimi territorial, përcaktimi i detajuar i kompetencave midis prezencës së ardhshme ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve vendore, fillimi i përgatitjeve për shpërbërjen e plotë të TMK-së dhe fillimin e përgatitjeve për formimin e Forcës Mbrojtëse, themelimin e kapaciteteve diplomatike, si dhe ruajtjen e ngritjen e nivelit të marrëdhënieve ndëretnike. Ndërsa, jashtë Kosovës, institucionet e vendit i pret një angazhim i fuqishëm në aspektin diplomatik. Liderët dhe nivelet e ndryshme politike e publike do të duhet të kalojnë kohë të gjatë nëpër kryeqytetet e ndryshme për të bindur ato të njohin shtetin e ri dhe të vendosin marrëdhëniet diplomatike.

IV

Kosova dhe shoqëria e Kosovës nuk përmblidhen vetëm me status, pavarësi apo angazhime me arritjen e aspiratave për të qenë më vete. Proceset e domosdoshme në sistemin demokratik duhen zhvilluar edhe gjatë situatave të ndjeshme apo të entuziazmuara. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të zhvillohen në pjesën e fundit të vitit të ardhshëm, ndërsa në të njëjtën periudhë apo afër saj pritet të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale, të paktën në disa prej komunave të Kosovës, që preken nga procesi i decentralizimit. Pakoja e Ahtisarit, të cilën institucionet e Kosovës e kanë marrë për obligim ta implementojnë, përcakton edhe çështjen e zgjedhjeve të ardhshme. Në fakt, përcaktimin në mënyrë shprehimore të zgjedhjeve të ardhshme ishin kërkuar nga opozita në kohën kur përgatitej dhe finalizohej kjo pako. Në fund të fundit, koalicionet e mëdha, me bazë të gjerë apo bashkëqeverisja në Kosovë, duket se ka për qëllim bazik tejkalimin e përbashkët dhe më të fuqishëm të fundit të procesit të pavarësimit të Kosovës. Nëse kjo është e saktë, atëherë vetë partitë në koalicion do të duhej që, menjëherë pas pavarësimit të Kosovës të kërkojnë fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e reja në vend, që në fakt kanë bazë ligjore në dokumentin aranzhues të ish-ndërmjetësuesit Ahtisari. Bazuar në këto komponentë, vërehet qartë se cilat do të jenë angazhimet e qeverisë së re të Kosovës dhe se në cilat fusha mund të priten rezultate të prekshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›