E Diel, 1 Nëntor 2026

LOBIMI DHE STRATEGJIA PER VERIUN E KOSOVES

Politika jonë, tash pasi u janë mbyllur dyert rinegociatave, duhet shpejt t‘i ndërmarrë dy veprime të domosdoshme; të fillojë një lobim të fuqishëm te shtetet me ndikim (dhe më pak ndikim), si dhe të krijojë strategjinë e qartë për Mitrovicën.

Një lobim para se të shpallet pavarësia, është shumë i domosdoshëm, për faktin se politika jonë do ta kishte pasqyrën e qartë se sa shtete, përafërsisht, do ta njihnin shtetin e Kosovës. Edhe qeverive të atyre shteteve që janë të luhatura, e që nuk janë me aq relevancë ndërkombëtare, si Sllovakia, Greqia, Rumania e ndonjë tjetër, grupi lobues që do të caktohej nga politika jonë, do të duhej t‘ua sqarojë se Kosova do të ketë marrëdhënie të mira me to. Sqarimi i mëtejshëm për këto vende është më se i domosdoshëm. Edhe nëse nuk arrihet qëllimi i plotë që ato ta njohin pavarësinë e Kosovës, së paku, nuk do të bënin shumë zhurmë rreth kësaj çështjeje. Edhe heshtja e zërave kundër pavarësisë së Kosovës, e ka rëndësinë e vet për krijimin e shtetit të Kosovës, krahas njohjes së tij nga shtetet. Në këtë kuptim, është mirë të lobohet edhe te qeveria e Qipros. Pra, të lobohet vetëm që zëri i kësaj qeverie të mos jetë kumbues kundër pavarësisë së Kosovës. Formësimin e grupit që do të lobojë te shtetet e mëdha, por edhe tek ato më me pak ndikim, politika jonë do të duhej ta bënte sa më shpejt. Dhe lobimi duhet të jetë shumë i fuqishëm, para se të shpallet pavarësia nga Parlamenti i Kosovës.

Strategjia për Veriun e Kosovës, po ashtu, duhet të jetë e përgatitur mirë nga politika jonë, para shpalljes së pavarësisë, sepse, në atë pjesë, grupet paramilitare serbe shpejt do të mund të ndërhynin. Që ekziston ky rrezik, e argumenton fakti i shfaqjes së Gardës së "Car Llazarit", një gardë banditeske, e cila prej disa kohësh po i kërcënohet Kosovës. Serbia, në Veriun e Kosovës do të përpiqet të ndërhyjë jo përmes mekanizmave policorë e ushtarakë, por përmes bandave paramilitare, të përgatitura vetë prej saj, enkas për ta rrëmbyer këtë pjesë. Në njërën anë, ajo do të ruhet para bashkësisë ndërkombëtare, për çka nuk do të mund t‘i përdorë mekanizmat e saj shtetërorë e, në anën tjetër, gjasat e mëdha janë që t‘ua japë sinjalin bandave të veta paramilitare, për të vërshuar në Veriun e Kosovës. Ndërsa justifikimin para bashkësisë ndërkombëtare do të mund ta provonte duke pretenduar "faktin" se "vetë nuk është e përzier, por se aty kanë ndërhyrë grupet e frustruara serbe nga humbja e Kosovës".

Për shkak të këtij rreziku, me gjasa shumë të mëdha që të ndodhë edhe në realitet, politika jonë duhet të kërkojë strikt nga mekanizmat ndërkombëtarë për siguri të vendosura në Kosovë, që rreptësisht ta kenë nën kontroll të rreptë tërë territorin e Kosovës, së paku, një muaj para se Parlamenti ynë ta shpallë pavarësinë. Po ashtu, politika jonë duhet të kërkojë nga mekanizmat ndërkombëtarë për siguri në Kosovë, që, në këtë aspekt, ta kenë mbështetjen e plotë edhe të SHPK-së e të TMK-së. Në anën tjetër, politika jonë duhet ta përgatisë strategjinë tjetër të vetën, në rast se këto mekanizma ndërkombëtarë në fjalë dështojnë për ta vënë nën kontroll tërë territorin e Kosovës, në mënyrë që gjithsesi të shpëtohet Veriu i Kosovës. Sepse nëse nuk kemi strategji të qartë në këtë plan, ajo pjesë mund të na rrëshqasë. Prandaj, politika jonë duhet të jetë shumë syçelë që pavarësinë e Kosovës ta realizojë në kufijtë e plotë të saj. Pa një strategji të qartë për Veriun e Kosovës dhe pa një lobim të fuqishëm në arenën ndërkombëtare, para se të shpallet pavarësia, politika jonë mund të dalë me matematikë të gabuar. Vetëm matematika e saktë politike e bën Kosovën e pavarur në kufijtë e plotë të saj. Në fund të fundit, edhe nëse asgjë nuk do të ndodhë pas shpalljes së pavarësisë nga Parlamenti ynë, politika duhet ta përgatisë matematikën e saj, për t‘i evituar rreziqet e mundshme pas saj…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›