Duka: Besoj se përjashtimi do të evitohet
Kreu i Federatës së Futbollit, Armand Duka, është shprehur optimist se konflikti me Ministrisë e Sporteve (MTKRS) do të sheshohet pa qenë nevoja për të arritur te përjashtimi i Shqipërisë. Më 14 mars do të zhvillohet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe problemet në futbollin shqiptar (që cilësohen si ndërhyrje e qeverisë në pavarësinë e FSHF-së), do të zënë një vend të veçantë. Pas shumë paralajmërimeve, në Zvicër mund të jepet edhe vendimi kapital: përjashtimi i përfaqësueses dhe i klubeve shqiptare nga arena ndërkombëtare. Rreziku është i madh, por tashmë palët duken se janë qetësuar, për të evituar më të keqen. "Vazhdon një proces për të arritur një vijë përfundimtare bashkëpunimi. Përderisa ministri Pango e firmosi statutin që e kishte prej kohësh në tavolinë, kjo tregon vullnetin e mirë", tha Duka gjatë prezantimit të marrëveshjes së re, me ujin "Tepelena", që do të vazhdojë të jetë sponsor i kombëtares edhe për eliminatoret e Botërorit 2010. "Besoj dhe shpresoj se gjithçka do të zgjidhet përpara 14 marsit dhe se Shqipëria nuk do të përjashtohet nga aktivitetet ndërkombëtare". Ndërkohë, ministria ka bërë të ditur se kreu i institucionit, Ylli Pango, i ka nisur një letër sqaruese FIFA-s dhe UEFA-s rreth dy pikave që janë vënë në dyshim nga dy organizatat më të mëdha të futbollit botëror: akuzat për shitje ndeshjesh ndaj krerëve të FSHF-së dhe auditimit.