E Diel, 1 Nëntor 2026

Tension dhe sherr masiv në Elbasan

Elbasani ka siguruar kualifikimin në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, por fitorja e djeshme 3-0 ndaj Shkumbinit do të kujtohet më shumë për grushtet që kanë shpërthyer në dhomat e zhveshjeve pas përfundimit të takimit. Lojtarët e të dy skuadrave janë kacafytur me njëri-tjetrin, në një situatë kaotike që ka zgjatur për rreth një orë pas vërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit Sokol Çekaj. Vetëm ndërhyrja e forcave të rendit të mbërritura nga Tirana për të kontrolluar mbarëvajtjen e ndeshjes ka bërë të mundur që situata të mos degjeneronte në sherre të tjera jashtë stadiumit, duke shmangur një përplasje të mundshme mes tifozerive të dy skuadrave.

Fitorja e Shkumbinit në ndeshjen e parë me rezultatin 2-0 dhe suksesi i mëtejshëm në kampionat i peqinasve, bënë që ndeshja e djeshme të përjetohej me shumë tension në Elbasan. Që në vërshëllimën e parë të gjyqtarit Çekaj, dy skuadrat nuk kanë kursyer shkelmat ndaj njëra-tjetrës, ndërsa edhe tifozeritë respektive që kishim tejmbushur stadiumin "Ruzhdi Bizhuta", bënë që kjo sfidë të përjetohej përtej kufijve të entuziazmit normal të futbollit. Sharjet e lojtarëve në fushën e lojës janë pasuar nga të tilla edhe në tribunën VIP të stadiumit, ku përfaqësues të dy skuadrave kanë dhënë shembullin duke mos u kursyer ndaj kundërshtarëve apo gjyqtarit në çdo episod. Elbasani realizoi një përmbysje spektakolare të rezultatit 2-0 të sfidës së parë, pasi shënoi dy herë gjatë kohës së rregullt me anë të Endri Dalipit dhe Arben Nuhiut. Që në këtë moment, në shkallët e stadiumit u shtuan skenat e tensionit, ku fillimisht viktimë ka qenë anësori Pjetrushi, i goditur në dorë me një tub metalik që fluturoi nga tribuna ku qëndronin tifozët e Shkumbinit. Pas fillimit të kohës shtesë, është përsëri Elbasani që gjen golin e tretë me anë të mbrojtësit Karçev dhe siguron kalimin në turin tjetër. Por në vend të festës, lojtarët elbasanas janë përplasur me ata peqinas në dhomat e zhveshjes. Fillimisht dy palët shkëmbyen sharje ndaj njëra-tjetrës, ndërsa më pas filluan edhe grushtet, që përfshinë të dy ekipet dhe stafet teknike. Në këtë skenë kaotike, është dashur ndërhyrja e forcave të gatshme të mbërritura nga Tirana për të qetësuar situatën dhe për të rivendosur qetësinë në stadium një orë pas përfundimit të takimit. Bilanci i zënkës masive ishte shumë i dukshëm, pasi thuajse të gjithë lojtarët e përfshirë janë vënë në rresht para doktorëve të skuadrave të tyre duke mjekuar të çarat që kishin marrë në duar gjatë "dyluftimit". Edhe tribuna VIP në "Ruzhdi Bizhuta" ka përjetuar një situatë po aq të acaruar pas përfundimit të takimit, ku edhe përfaqësueses të politikës apo pushtetit vendor të Elbasanit dhe Peqinit janë përfshirë në sharje dhe kërcënime të ndërsjella. Situata ka qenë më e qetë jashtë stadiumit, ku forcat e shumta policore kanë izoluar dy tifozeritë duke evituar një përplasje të mundshme, ndërsa kanë bërë të mundur edhe largimin e skuadrave nga "Ruzhdi Bizhuta". Të dy palët kanë "lënë takim" në fazën e tretë të Superiores, secili duke shpresuar që ndeshja të luhet në fushën e tyre.

Kupa e Shqipërisë

1/16 finale

Ndeshjet e kthimit

Tirana-Laçi 3-1 (1-1)

Fortuzi 14‘, Xhafaj 19‘, Hyka 60‘ / Shazivari 17‘

Partizani-Skënderbeu 5-0 (0-1)

Abilaliaj 5‘, Osmani 28‘, Bakaj 43‘, 58‘, Malindi 89‘

Kastrioti-Flamurtari 1-0 (1-1)

Abazaj 45‘

Vllaznia-Besëlidhja 0-0 (1-0)

Dinamo-Apolonia 3-3 (1-0)

Poçi 16‘, Diop 21‘, Pollozhani 88‘ / Gërxho 66‘, Zhunior 76‘, Meto 90‘

Elbasani-Shkumbini 3-0 (0-2)

E. Dalipi 31‘, Arb. Nuhiu 77‘, Karçev 108‘

Besa-Luftëtari 2-0 (1-1)

Roshi 4‘, Xhihani 62‘

Teuta-Turbina 4-0 (0-0)

Gega 45‘, Kotja 57‘, Ahmeti 85‘, Mile 89‘

*Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para

Ndeshjet

1/8 finale

5-19.3.2008

Kastrioti-Tirana

Elbasani-Teuta

Besa-Vllaznia

Dinamo-Partizani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›