E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana, 1 euro për çdo biletë të shitur, në ndihmë të fëmijëve të pastrehë në Shqipëri

Pjesëmarrës aktiv në shoqatat ndërkombëtare për bamirësi dhe ambasador nderi i UNDP-së, Lorik Cana, vazhdon të jetë pranë njerëzve në nevojë. 24-vjeçari i lindur në Prishtinë, që përfaqësohet me kombëtaren shqiptare është një figurë mjaft e rëndësishme për shoqatat humanitare që veprojnë në Ballkan. Iniciativa e re e mesfushorit do të "marrë jetë" në supersfidën Olimpik Marsejë-Lion, e vlefshme për javën e 32-të të kampionatit, e cila do të luhet më 5 ose 6 prill. Kapiteni i nënkampionëve të Francës ka rënë dakord me drejtuesit e klubit, që mbrëmjen e ndeshjes të marrë nga 1 euro për çdo biletë të blerë nga tifozët, të cilët do të jenë të pranishëm. Shuma përfundimtare që do të grumbullohet nga kjo iniciativë do të transferohet në llogarinë e një organizate që vepron për përmirësimin e kushteve të jetesës për fëmijët e pastrehë në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga francezja "maxifoot".

Në mars 2007, në stadiumin "Velodrom", Cana ka luajtur përkrah Zinedin Zidan, Ronaldos, e pothuajse 40 yjeve të tjerë të futbollit ndërkombëtar (Robinjo, Rivaldo, Robert Pires, Gabriel e Diego Milito, Aimar, ish-futbollistët Fabricio Ravaneli, Loren Blank e shumë të tjerë), në "Ndeshjen Kundër Varfërisë". Një takim i tillë është shndërruar në një ritual të përvitshëm, i cili shërben për të ftuar publikun që të mobilizohet në luftën kundër varfërisë.

Për të njëjtën media, Cana ka folur edhe rreth karrierës: ecurisë aktuale dhe të ardhmes, në lidhje me aktivizimin e tij si mbrojtës qendre. Në mungesë të Zhulien Rodriguez dhe Roland Zubar, trajneri Erik Gerets e ka aktivizuar sistematikisht shqiptarin në repartin ofensiv. Një rol me të cilin 24-vjeçari është ambientuar në kombëtaren shqiptare. "Mbrojtës qendre është roli im i dytë", ka pohuar kapiteni i klubit marsejez. "Aty kam luajtur shpesh në kombëtaren shqiptare. Megjithatë, edhe kur militoja të PSG, ose në sezonin tim të parë tek Olimpik Marseja (sezoni 2005-‘06), kishte raste kur trajnerët më përdornin si ‘as‘ në mbrojtje kur skuadra kishte nevojë. Jam përshtatur me këtë rol, aq sa tashmë ndihem komod duke luajtur aty". Aq komod, sa tashmë po mendon të mbyllë karrierën në qendër të mbrojtjes: "Po, megjithatë, për sa kohë jam i ri dhe jam mirë fizikisht, dua të luaj në mesfushë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›