Dy ekipe të Avokatit të Popullit për të verifikuar dhunën e pretenduar ndaj protestuesit

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Avokati i Popullit njoftoi se ka angazhuar dy ekipe për të verifikuar pretendimet për ushtrim dhune ndaj një protestuesi të ndaluar, njëri në spital dhe tjetri në Bllokun e Sigurisë në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, monitorimi i respektimit të të drejtave të protestuesve të ndaluar apo të arrestuar ka nisur që nga dita e parë e ndalimeve.
Avokati i Popullit bën të ditur se fillimisht është administruar dhe verifikuar dokumentacioni përkatës për ndalimet dhe shoqërimet, ndërsa më pas përfaqësues të institucionit kanë kontaktuar personat e arrestuar dhe kanë zhvilluar monitorime në komisariatet nr. 1, 2, 3 dhe 4 në Tiranë, si edhe në Spitalin e Traumës, ku janë intervistuar personat e ndaluar dhe të lënduar.
Po ashtu, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka kryer verifikime në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku janë intervistuar protestuesit e ndaluar.
Sipas Avokatit të Popullit, deri tani janë administruar 10 ankesa zyrtare për tejkalim të përdorimit të forcës gjatë ndalimit ose shoqërimit nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
“Këto ankesa janë në proces verifikimi administrativ dhe, nëse vërtetohen, do të ndiqen me të gjitha mjetet ligjore që i njeh mandati ynë”, thuhet në njoftim.
Avokati Popullit thekson se nga intervistat e zhvilluara deri të premten, asnjë prej personave të ndaluar nuk kishte paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë.
Pas pretendimit të bërë publik këtë të shtunë për ushtrim dhune ndaj një qytetari brenda ambienteve të Bllokut të Sigurisë, Avokati i Popullit njofton se ka dërguar menjëherë dy ekipe në terren.
“Një ekip do të intervistojë qytetarin në spital, ndërsa një ekip tjetër do të zhvillojë verifikime në Bllokun e Sigurisë. Avokati i Popullit do të bëjë publike gjetjet e plota me përfundimin e verifikimeve”, thuhet në njoftim.
/e.xh/a.f/