Dy fjalë për një agjent antitrafik
Edhe pse ka bërë vetëm detyrën në zbatimin e ligjit, policia e Fierit duhet falënderuar për stoiçizin e saj për ta gjetur dhe për ta çuar atje ku duhet çuar ajo copë "teneqeje", sipas ish-poseduesit të saj prej një jave, punëtorit Florenc Hatija. Por agjenti antitrafik që citohet në shkrimin e koleges nga Fieri të ketë thënë se "është e drejta autentike e atij që e ka gjetur që të lejohet të fotografohet përkrenarja", duhet ta dijë se ai, pra Hatija, sipas ligjit nuk e gëzon as këtë të drejtë. Ai thjesht detyrohet që atë që ka gjetur t‘ia dorëzojë shtetit dhe kaq. Këtë kërkon me forcë drejtori i Institutit të Arkeologjisë, prof. dr. Myzafer Xhaxhiu, që të zbatohet ligji dhe që firmat që punojnë në rrugë apo fronte të tjera, ta kenë parasysh ligjin në rastet kur makineritë apo duart e tyre hasin të sende të tilla, siç ishte rasti më i fundit në aksin e Rrugës së Arbrit. Dhe ç‘është me paradoksale, punëtori që e rrëmbeu atë ka pasur kurajën t‘i kërkojë lekë dhe policisë për sendin që duhet ta dorëzonte pa bërë shumë fjalë në duart e autoriteteve. Ndaj është detyrë e këtyre të fundit, përkatësisht organizmave të trashëgimisë siç është Instituti i Arkeologjisë apo Instituti i Monumenteve, që t‘ua bëjnë të ditur autoriteteve policore që ligji është ligj, edhe kur vidhen banka, edhe kur vidhet një lopë, edhe kur vidhet një objekt kulture.