E Diel, 1 Nëntor 2026

Supereskortë për Barak Obamën

Pretendenti për nominimin e demokratëve në garën për Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama, është nën shënjestër. Senatorit më ngjyrë të Illinoisit i janë dërguar kërcënime dhe mesazhe raciste, çka ka shqetësuar shërbimet sekrete amerikane, të cilat edhe i kanë dhënë atij një supereskortë që e shoqëron hap pas hapi në fushatën zgjedhore. Agjentëve të shërbimit sekret nuk u shpëton asgjë. Ata kontrollojnë madje edhe gazetarët që shoqërojnë kandidatin demokrat. Në fakt, senatori afro-amerikan është vënë nën mbrojtjen e agjentëve federalë që në maj 2007. Por nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë që një kandidat presidencial të ruhej në një mënyrë të tillë. Në rastin e Obamës, më shumë sesa kërcënimet dhe mesazhet raciste që i mbërrijnë në postën elektronike, është historia ajo që imponon masa të tilla sigurie. Kanë kaluar 40 vjet nga pranvera e 68-ës, kur në harkun kohor të dy muajve u vra predikuesi Martin Luter King, profet jo i dhunshëm i pajtimit racial dhe senatori Robert Kenedi, asokohe pranë nominimit demokrat. Ndërkohë, janë impresionuese analogjitë me atë kohë. Entuziazëm dhe shpresë si atëherë, por edhe frikë, shpesh irracionale, se mos tragjedia mund të përsëritet. Obama është i pari kandidat me ngjyrë që ka vërtet shumë shanse për të arritur Presidencën. Ai ka të njëjtën dëshirë për ndryshim që mishëronin asokohe Martin Luter King dhe Kenedi. Në të njëjtën kohë, ai zgjon edhe të njëjtat fantazma, në një vend që asnjëherë, për hir të së vërtetës nuk ka qenë në paqe me ndërthurjen e racave. Momentalisht, sipas ekspertëve, nuk ka kërcënime të sakta apo të besueshme, por suksesi i kandidatit me ngjyrë dhe turmat gjigante që e shoqërojnë, kanë bërë që rritja e nivelit të mbrojtjes të jetë një domosdoshmëri. Vetëm Presidenti Bush ka mbrojtje më të madhe, thotë një nga zyrtarët e stafit të Obamës. Pavarësisht se numri i njerëzve që ruajnë senatorin e Illinoisit është një informacion i rezervuar, janë të paktën 25 persona që shërbejnë si engjëj mbrojtës të tij, ditë e natë. Ngritjen e mbrojtjes në nivelin më të lartë, e ka kërkuar fillimisht deputeti demokrat i Misisipit, Beni Tompson, president i Komisionit për Sigurinë kombëtare, në një letër drejtuar Departamentit të Mbrojtjes: "Si afro-amerikan që kam jetuar disa prej momenteve më të turpshme të këtij vendi, gjatë lëvizjes së të drejtave civile, e di personalisht se urrejtja e disa bashkështetasve tanë mund të çojë në akte kafshërore dhune", ka thënë ai. Vetë Obama kërkon të shfaqet i qetë. "Kam mbrojtjen më të mirë në botë dhe nuk besoj se duhet të shqetësohem për këtë", thotë ai ndërsa udhëton me avion nga Sinsinati në Kliveland. Ai kujton se "as Bob Kenedi dhe as predikuesi Martin Luter King, nuk mbroheshin nga shërbimet sekrete". Por a ka frikë ai? "Ka të drejtë bashkëshortja ime, Mishelë, kur thotë se duhet të kujtohet apeli i Koreta King: Mos ki frikë nga e ardhmja, nuk ka sfidë që nuk mund të fitohet", thotë Obama. Gjithsesi, ankthi është i madh dhe shtohet akoma më shumë nga mbështetja që i kanë dhënë Barak Obamës, Ted dhe Karolin Kenedi. Ngjason si një vazhdim simbolik i një trashëgimie të fisme dhe tragjike në të njëjtën kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›