E Diel, 1 Nëntor 2026

"Zbulohet" vendndodhja e Arkës së Besëlidhjes

Imazhet e Arkës së famshme i kemi parë për herë të fundit teksa kërkohej nga Indiana Xhons në Egjipt. Por, sipas Tudor Parfit, një studiues aventurier i vërtetë, që nuk ka të bëjë fare me sajesat kinematografike, Indiana Xhons e kishte krejt gabim, pasi Arka e Besëlidhjes nuk gjendet në Egjipt. Në fakt, Parfit është i bindur se kërkimet e palodhshme kanë dhënë rezultat dhe se ka arritur të zbulojë vendndodhjen e objektit të shenjtë, i cili gjendet në një muze të qytetit Harare në Zimbabve.

Ideuesit e Indiana Xhons, gjithsesi, kishin të drejtë në një pikë: Arka është një prej objekteve më të shenjta të krishterimit. Një arkë e drunjtë, ndoshta e veshur me flori, ku, sipas Biblës, mendohet se gjenden Dhjetë Urdhëresat; mishërimi i pranisë së Zotit mbi dhe; njëherësh edhe armë hyjnore që shkrumbon pengesat, por edhe izraelitët e pakujdesshëm. Është shumë e shenjtë për t‘u vendosur përdhe apo për t‘u prekur, përveç të zgjedhurit.

Në Bibël, vendndodhja e fundit e Arkës është në Tempullin e Solomonit, të cilin babilonasit e shkatërruan në vitin 586 para Krishtit. Vendndodhja aktuale ka qenë përjetësisht për shkencëtarët objekt debati: për disa gjendet nën Sfinksin e Egjiptit, për të tjerë nën Tempullin e Malit të Jerusalemit, disa mendojnë se është transportuar në Francë e të tjerë në Londër.

63-vjeçari Parfit është profesor i Shkollës së Studimeve Orientale dhe Afrikane të Universitetit të Londrës. Libri i tij i ri, "Arka e Humbur e Besëlidhjes: duke zgjidhur misterin e arkës legjendare të Biblës", bashkë me një dokumentar që do të shfaqet në "History Channel" më datë 2 mars, rrezikojnë t‘i dëmtojnë rëndë imazhin (e shkëlqyer) profesional. Megjithatë, profesori nuk del për herë të parë me teori të guximshme, të cilat më pas rezultojnë të vërteta. Në vitet ‘80, Parfit jetoi pranë një fisi afrikano-jugor të njohur si fisi Lemba, pjesëtarët e të cilit thonë se janë një tribu e humbur izraelite. Që atëherë shkaktoi të qeshura të forta te kolegët, që e pranonte si të vërtetë një qëndrim të tillë të fisit: në vitin 1999, një element gjenetik tepër specifik te pasardhësit e priftërinjve Tempullit të Judaizmit (kohenët) ndeshej me të njëjtën shpejtësi mes individëve që përbëjnë kastën klerike të fisit Lemba sa edhe te hebrenjtë me mbiemrin Kohen. Në atë kohë fisi Lemba dhe vetë Parfit zunë faqet e para të shtypit botëror.

Pas kësaj, Parfit nisi të vinte pikëpyetje mbi një tjetër aspekt të rrëfenjave orale (tashmë të besueshme) të fisit: një objekt i quajtur ngoma lungundu. Ngoma, sipas pjesëtarëve të fisit Lemba, ishte thuajse hyjnore, përdorej për të mbajtur disa objekte rituale dhe mbahej në katër unaza përmes hunjve të drunjtë. Ishte shumë e shenjtë për t‘u vendosur përdhe apo për t‘u prekur nga njerëz që nuk ishin priftërinj dhe lëshonte "Flakët e Zotit", të cilat vrisnin armiqtë - me raste edhe ata pjesëtarë të pakujdesshëm të fisit Lemba. Një plak i fisit i ka rrëfyer Parfitit se "(ajo) vjen nga Tempulli i Jerusalemit. E kemi sjellë ne deri në Afrikë".

Sipas vlerësimit të studiuesit Parfit, kjo rrëfenjë është vetëm pjesërisht e vërtetë. Ai nuk është i sigurt dhe nuk ka si ta vërtetojë tërësisht, që të parët e fisit Lemba u larguan nga Jerusalemi në të njëjtën kohë me Arkën (këtu duhet marrë parasysh edhe dyshimi mbi faktin nëse Arka është larguar ndonjëherë nga Jerusalemi). Megjithatë, ka një teori për pikën ku bashkohen dy gjërat. Pjesëtarët e fisit Lemba adhurojnë një qytet të quajtur Sena. Aty ku sot gjendet Jemeni, në një zonë të banuar nga njerëz të lidhur gjenetikisht me pjesëtarët e fisit Lemba, Parfit ka zbuluar një qytet me këtë emër. Mund të ketë ndodhur që Lembat të kenë emigruar fillimisht aty nga Jerusalemi dhe më pas nga Sena, përmes ndonjë porti të afërt të kenë lundruar drejt brigjeve afrikane. Këtë udhëtim të ketë bërë edhe Arka? Përpara mbërritjes së Islamit, në Arabi ekzistonin një numër i madh oazesh të kontrolluar nga hebrenjtë dhe në vitet 500 pas Krishtit aty gjendej edhe e vetmja mbretëri hebraike e epokës. Ajo ishte në kufi me Senën. Gjithsesi, është e mundur që në atë zonë hebrenjtë të kenë ruajtur një objekt shumë të vlefshëm. Parfit ka gjetur gjithashtu edhe rrëfime të shekullit VIII, të kaluara brez pas brezi nga hebrenjtë e konvertuar në myslimanë, sipas të cilëve Arka gjendej në Arabi. Ai hedh tezën se në një pikë të caktuar fisi Lemba ka marrë përsipër detyrën për ruajtjen e Arkës, apo ngomas.

Kërkimet përfundimtare për Arkën, e cila nuk shihet më nga askush që nga viti 1940, e kanë bërë të rrahë Egjiptin, Etiopinë, madje edhe Guinenë e Re, deri në çastin kur iu vu pas gjurmëve që e shpunë në një ambient të Muzeut Harare të Zimbabvesë. Aty, mes foleve të minjve, gjendej një objekt në formën e daulles me një vrimë të zezë djegieje në qendër ("si të qe përdorur si top", shkruan studiuesi në libër) dhe me mbetjet e katër unazave në skaje. Gjendeshin edhe disa elemente dekorative të përshkruara në Bibël. "Ndjeva mornica në trup", shkruan.

Forma prej daulleje është ajo që i shkakton më shumë mëdyshje studiuesit, duke qenë se në asnjë prej shkrimeve të lashta Arka nuk përshkruhet me atë trajtë. Supozimin e bazon te fakti që Arka shpesh lidhet me trumbetat dhe te përshkrimet e një pasazhi të Biblës, ku Mbreti David vallëzon përpara saj.

Kështu ka të ngjarë që ta ketë gjetur vërtet Arkën? "Po dhe jo", përfundon studiuesi. Një copëz e analizuar nga studiuesi e ngjit objektin në vitin 1350 Pas Krishtit - shumë i hershëm për të qenë objekt afrikan arti dhe 2 mijë e 5 qind vjet pas daljes në skenë të Arkës sipas Biblës. Në këtë pikë, Parfit shpjegon se bëhet fjalë për atë arkë "që përmendet në gojëdhënat e Lembas, e rindërtuar nga priftërinjtë për të zëvendësuar Arkën e mëparshme" - sipas legjendës së tyre ngoma e vërtetë u vetëshkatërrua rreth katërqind vjet më parë dhe u ringjall nga mbetjet e veta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›