Gjendet përkrenarja e rrëmbyer
Policia e Fierit ka gjetur një ndër dy përkrenaret e zbuluara një javë më parë përgjatë segmentit në ndërtim të "Rrugës së Arbrit", te vendi i quajtur "Qafa e vorreve". Ka gjetur pikërisht atë përkrenare e cila ishte marrë nga punëtori Florens Hatija, të cilit i kishte mbetur në dorë në momentin e daljes në sipërfaqe. Dhe, me idenë se kishte gjetur diçka të rrallë që mund të kushtonte miliona, ai në mesnatë ka braktisur kapanonin dhe është nisur drejt shtëpisë së tij në Fier, me pretendimin e një halli familjar. Por tashmë, prej informacioneve që disponohen, ai është endur nëpër natë së bashku me përkrenaren, duke ngjarë si personazh legjendash. Katër ditë më vonë, ai do i thoshte në një bisedë telefonike kolegut të kulturës në "Shqip", Ermir Hoxha, se ajo nuk ishte përkrenare, por një copë teneqeje, të cilën ai e kishte hedhur në plehra, e që andej, ishte marrë nga fëmijët duke u shitur për skrap.
Por aspak si nëpër legjenda, ndonëse mrekullisht, policia ka vepruar me forcën e ligjit në këtë fushë të ndjeshme të kulturës, siç është grabitja dhe trafikimi i vlerave antike. Sipas burimeve zyrtare policore fierake mësohet se si fillim është bërë identifikimi i emrit të autorit që e kishte gjetur, i cili përkonte me banorin e qytetit të Fierit, Florens Hatia. Më pas, policia i është drejtuar banesës së Hatisë. Edhe pse ky i fundit pra, kishte pohuar për gazetën "Shqip" se e ka hedhur përkrenaren në një kosh mbeturinash, gjatë ushtrimit të kontrollit nga ana e efektivëve blu të Fierit është bërë e mundur të gjendet e të sekuestrohet sendi me vlerë për nga vitet e krijimit, por jo nga përmbajtja dhe materiali i tij. Burimet policore bëjnë të ditur gjithashtu se ndaj Hatisë nuk ka nisur asnjë proces hetimi, ndërkohë që denoncimin për humbjen e përkrenares e ka bërë Instituti i Arkeologjisë në Tiranë.
Prej këtij instituti është sinjalizuar paraditen e djeshme edhe arkeologu i Fierit, Lami Koçi. Ky pasi ka marrë një kontakt me krerët e Drejtorisë së Policisë Fier, të cilët e kanë siguruar për gjendjen e mirë të përkrenares është thërritur për disa orë më vonë me qëllim marrjen në dorëzim të saj.
Arkeologu Lami Koçi i pyetur nga gazeta "Shqip", teksa qëndronte në pritje për të hyrë në mjediset e brendshme të Komisariatit të Policisë së Fierit, ka pohuar se: "Më kanë sinjalizuar ata të Institutit të Arkeologjisë për t‘iu drejtuar policisë me qëllim marrjen në dorëzim të përkrenares. Ata të institutit më kanë thënë se më pas ajo do të dorëzohet në muze, por ende nuk e kam parë që të mund të flasë për vlerat e saj, si dhe për gjendjen".
Ndërsa pritja e arkeologut Lami Koçi ka zgjatur për disa orë, rreh orës 14:00 të ditës së martë ai është marrë nga një inspektor i antitrafikut në Drejtorinë e Policisë Fier me qëllim nisjen e procedurave të dorëzimit të saj. Edhe pas nisjes së procedurave dhe kontaktit të arkeologut me agjentët e antitrafikut përkrenarja nuk është dorëzuar. Pas daljes nga ky komunikim me efektivët e policisë, arkeologu i Fierit, Lami Koçi, ka pohuar për gazetën se dorëzimi i përkrenares do të kryhet pas disa ditësh. "Më kanë sugjeruar këta të policisë që të mos flasë për asgjë, ndërkohë që siguroj se e pashë përkrenaren dhe ishte në gjendje mjaft të mirë. Ishte me përmasat normale të një përkrenare dhe nuk ka pësuar dëmtime edhe pse ka disa ditë që qarkullon nëpër Shqipëri", ka pohuar arkeologu për gazetën.
Ndërkohë që një prej agjentëve të antitrafikut, i cili nisi edhe procedurat e dorëzimit të përkrenares me arkeologun ka pohuar për gazetën se: "Florenc Hatija kishte kërkuar sasi të madhe lekësh për ta dorëzuar atë. Madje edhe gjatë pyetjeve që i është nënshtruar në polici, Hatija ka këmbëngulur te kjo kërkesë".
Po ashtu, agjenti i antitrafikut ka pohuar se: "Nëse unë do të përballesha në rrugë me një send të tillë nuk do ta merrja, pasi nuk do të ngjallte interes, ndërsa vitet që rëndojnë mbi të dhe epoka që përfaqëson, që mendohet të jetë e shekullit VII para erës sonë e bënë aq të vlefshme. Është e drejta autentike e atij që e ka gjetur që të lejohet të fotografohet përkrenarja".
Ndërsa në komunikim me krerët e Drejtorisë së Policisë Fier është konfirmuar se të gjitha të dhënat e përkrenares, si dhe situacioni i saj do t‘i publikohen medias me qëllim garancinë e gjetjes dhe qëndrimit të saj në mjediset e policisë Fier edhe për disa ditë pas përfundimit të hetimeve që policia ka nisur.