Londër - Berlin, skandal për llogaritë sekrete
Lajmi i shfaqur në fundjavë, është konfirmuar: zyra britanike e tatimeve ka paguar një informator për të siguruar një listë qytetarësh britanikë të dyshuar për evazion fiskal në Lihtenshtajn. Lajmi është pohuar nga një burim në administratën fiskale në Britaninë e Madhe sipas të cilit është kryer edhe pagesa për "blerjen" e listës, por shifra nuk përmendet. Britanikja "Financial Times" ka bërë të ditur së fundmi se qeveria britanike ka blerë për 100 mijë sterlina ose 133 mijë euro, listën e të dyshuarve për evazion fiskal pikërisht nga informatori që qëndron në thelb të hetimit të paprecedentë të nisur në Gjermani. Dyshohet se rreth 100 personalitete britanike i kanë depozituar pasuritë e tyre në Lihtenshtajn ku edhe nuk i nënshtrohen taksave. "Tani do të zbardhet gjithçka dhe nuk do të ketë më një vend të sigurt për të vënë në jetë një evazion fiskal. Ata që kanë fshehur pasuritë e tyre duhet të raportojnë menjëherë para tatimeve", ka thënë shefi i zyrës së tatimeve dhe taksave në Britani, Dejv Hartnett, në një deklaratë. Ndërkohë, janë 163 të hetuarit në një superhetim mbi evazionin fiskal në Gjermani, të cilët kanë pranuar tashmë se kanë kryer transferime të paligjshme. Kjo është bërë e ditur nga prokurori i Bohumit, Hans-Ulrih Kruek, duke saktësuar se 91 të hetuar kanë pranuar fajin dhe kanë paguar gjobat prej plot 27.8 miliardë eurosh. 72 subjekte të tjera janë paraqitur vullnetarisht para autoriteteve. Sipas një komunikate të lëshuar nga prokuroria e Bohumit, që koordinon hetimet, ditët e fundit janë kryer 120 kontrolle në zyra apo apartamente private. Aksionet kanë prekur totalisht 150 të dyshuar për evazion dhe janë përqendruar mbi të gjitha në Munih, Frankfurt e Hamburg. Në operacione kanë marrë pjesë 8 prokurorë dhe 139 policë. Skandali shpërtheu në mes të shkurtit kur policia bëri një kontroll në vilën private dhe në zyrat e numrit një të "Deutsche Post" (Postave gjermane), Klaus Zumvinkel, i cili më pas dha dorëheqjen. Të dhënat e evazorëve janë mbledhur në një DVD që shërbimet sekrete gjermane e kanë blerë për rreth 4 milionë euro nga një ish-punonjës i një banke në Lihtenshtajn. Të gjithë të dyshuarit mendohet se kanë shfrytëzuar fondacionet e krijuara në Principatë. Heinrih Kieber, ish-punonjësi i bankës së Lihtenshtajnit, LGT Group, që i ka shitur Gjermanisë informacionin mbi qindra evazione fiskale, ka marrë nga shërbimet sekrete edhe një identitet të ri. Lajmi është botuar nga e përjavshmja "Der Spiegel" që konfirmon edhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç Britanisë së Madhe, kanë blerë informacione nga "spiuni" i Lihtenshtajnit. Materiali që i është shitur Gjermanisë, zbulon "Spiegel", përmban informacione mbi një total prej 4.527 fondacionesh dhe instituteve të ndryshme në principatë. Prej tyre 1400 janë në pronësinë e investitorëve gjermanë. Për më tej, e përjavshmja shkruan se informacionet variojnë nga vitet 70-të e deri në 2003-in, por në disa raste prekin edhe 2005-ën. Ndërkohë që rreth 65 fondacione kanë qenë akoma aktive edhe në 2008-ën. Në mënyrë të veçantë, mbi gjysma e investitorëve dhe rreth 3100 fondacione e institute, sipas gazetës, janë të huaja. Disa janë pjesë e krimit të organizuar ballkanik dhe rus, përfshirë edhe shoqëri shumë të njohura dhe të tjera, relativisht të panjohura. Dhe pikërisht për shkak të pranisë së emrave të lidhur me krimin e organizuar, hetuesit gjermanë kanë menduar se jeta e informatorit, është në rrezik. Lihtenshtajni, vendi i vogël alpin, ka shpresuar ndërkohë t‘i bashkohej zonës së Shengenit, që heq kufijtë mes shteteve, por disa vende të BE-së kanë dhënë shenja se ato mund të mos pranojnë ta ratifikojnë hyrjen e tij në zonë për shkak të debatit të ndezur së fundmi për statusin e tij si një parajsë për të shpëtuar nga taksat.