EMRAT/ Gjykata lë në burg 5 protestues të Opozitës, 6 në “detyrim paraqitje”

U mbajt në Gjykatën e Tiranës seanca për masën ndaj 11 protestuesve të arrestuar në protestën e PD të së premtes, ku 5 prej tyre u lanë në “arrest në burg”, ndërsa 6 në “detyrim paraqitje”.
Në burg u lanë: Klement Çuçka, Bujar Tusha, Henri Shapllo, Mirvel Tocilla dhe Semi Bici.
Në “detyrim paraqitje” u lanë: Bardhyl Ndou, Sokol Bajraktari, Igball Domi, Gentian Tuga, Ernest Kapo dhe Edysin Shyti.
Protestuesit akuzohen për veprat penale “goditje për shkak të detyrës”, “prishje të qetësisë publike”, “shkatërrim prone me zjarr” dhe “kundërshtim të punonjësit të rendit publik”.
Sipas uniformave blu, disa protestues kanë hedhur molotovë dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë dhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit publik. Si pasojë, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Protesta e shtatë kombëtare e Opozitës u mbajt të premten e 17 prillit, ku përveç arrestimeve të menjëhershme pas përfundimit të fjalimeve, u dhunuan disa drejtues të PD-së, përfshirë edhe gazetarin Aulon Kalaja.