EURO - rekord i ri ndaj dollarit
Monedha evropiane po thyen çdo rekord ndaj dollarit amerikan. Dje euro u këmbye me 1.51 USD duke kaluar kështu një limit që para disa muajsh konsiderohej si historik. E lançuar në janar 1999 me një kurs këmbimi 1 euro/1.174 USD, me përjashtim të disa luhatjeve të vogla, monedha evropiane nuk ka reshtur forcimin e saj duke arritur kështu në nivele të paimagjinueshme. Shkaku kryesor i këtij forcimi është në radhë të parë reflektim i ecurisë dhe problemeve të ekonomisë amerikane dhe strategjisë së Federal Reserve (Fed) për ta përballuar këtë krizë dhe në radhë të dytë, te vetë objektivat dhe instrumentet e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) në kuadrin e politikës së saj monetare. Çfarë po ndodh në të dy anët e Atlantikut?
Për javët në vazhdim, tregjet financiare parashikojnë një ulje tjetër të normës bazë të interesit të dollarit nga Feed, e cila po orientohet drejt një strategjie të qartë që synon mbështetjen e ekonomisë amerikane, stimulimin e rritjes ekonomike dhe sidomos eliminimin e një gjendjeje të mundshme stagflacioni. Shifrat e fundit të indeksit "IFO" (Indeksi i besimit të biznesit) tregojnë një rritje të dukshme të klimës së biznesit në Evropë në përgjithësi dhe Gjermani që është dhe fuqia ekonomike më e madhe e zonës euro në veçanti, ndërkohë që morali i bizneseve në SHBA po ulet vazhdimisht e shoqëruar kjo me një rënie të kërkesës dhe ulje shqetësuese të çmimeve në sektorin imobiliar. Banka Qendrore Amerikane, që tashmë e ka zbritur në 3% normën bazë të interesit po jep sinjale për zbutje të politikës së saj monetare dhe një ulje tjetër të normës së interesit me synim kryesor nxitjen e rritjes ekonomike në SHBA.
Parashikimet e ekspertëve janë të fokusuar në një ulje të mundshme në nivelet 2%, ndërkohë që ekonomistë e analistë të tjerë financiarë e parashikojnë në 1% normën bazë të interesit për dollarin në fund të vitit 2008. Nga ana e saj, BQE preferon të vazhdojë të reflektojë në analizat e saj rreth kësaj situate pa ndryshuar për momentin kahun e politikës së saj monetare. Shkaku kryesor i kësaj uljeje të vazhdueshme është mbështetja e ekonomisë amerikane. Sipas një raportimi në Kongres të Ben Bernanke, President i Fed "është esenciale të evidentohet që rreziqet që rëndojnë mbi rritjen ekonomike vazhdojnë të jenë prezente". Nga ana e tij, Jim McCormick i grupit financiar "Lehman Brothers" nënvizon se "Fed-i vazhdon të fokalizohet vetëm në rreziqet për rritjen ekonomike më tepër sesa rreziqet inflacioniste". Pasojë direkte e kësaj strategjie është dhe vazhdimi i rënies së vlerës së dollarit amerikan sidomos në raport me 5-6 monedhat e tjera më të rëndësishme të botës.
Krejt e kundërt paraqitet gjendja e euros, e cila vazhdon të forcohet. Sipas disa ekonomistëve e financierëve evropianë "deri në fund të tremujorit të dytë të këtij viti nuk përjashtohet mundësia që euro të arrijë në kuotat e 1.55 USD. Ndërkohë, Evropa duket më e shqetësuar për mbajtjen nën kontroll të inflacionit dhe çmimeve në zonën euro. Në muajin janar të këtij viti, inflacioni arriti në shifrat 3.2% në zonën euro në një kohë që objektivi i BQE është vetëm 2%. Shqetësim i madh konsiderohet dhe efekti i çmimit të lëndëve të para, atyre agroushqimore dhe sidomos efekti i çmimit të naftës që tashmë e ka kaluar kufirin e 100 USD/fuçi. Sipas Alex Weber, President i Bundesbank-ut, "tregjet e nënvleftësojnë rrezikun e inflacionit kur anticipojnë një ulje të shpejtë të normës bazë të interesit për euron nga ana e BQE". Ndërkohë që ekonomia dhe bizneset evropiane ecin mirë, BQE orientohet drejt eliminimit të rreziqeve inflacioniste megjithëse stabiliteti i çmimeve është objektivi kryesor i saj, në dallim nga Fed që si mandat kryesor ka mbështetjen e rritjes ekonomike. Por, nga ana e tyre, shumë qeveri e biznese evropiane ndihen të shqetësuar nga mbivlerësimi i euros, pasi kjo mund të ndikojë në uljen e kompetivitetit të mallrave, eksporteve dhe shërbimeve evropiane. Sipas tyre, "në një periudhë afatshkurtër, kjo situatë nuk pritet të këtë ndikim në ekonominë evropiane apo ekonomitë e vendeve që janë më shumë të lidhura me zonën euro, por në qoftë se kjo situatë thellohet dhe dollari vazhdon të zhvleftësohet në raport me euron, atëherë çështja mund të komplikohet".