Alonso: është çmenduri, por synoj titullin
Në vështirësi në pistë, por i ndershëm jashtë saj. Pas vendit të 13-të në provat e Montmelos, Fernando Alonso ka folur rreth mundësive që ka për të fituar titullin. "Vazhdoj ta përsëris se është çmenduri që të mendojmë për të fituar kampionatin, por përpara çdo sezoni, përcaktohen gjithmonë objektivat për të triumfuar", tha ish-kampioni i botës në mikrofonat e radios "Cadena Ser". "Mundësitë tona për të fituar janë 30 në 100 dhe me këtë pohim nuk tregoj se jam pesimist. Po flas me sinqeritet: në cirkuitin e Melburn duhet të luftojmë që në garë të nisemi në vendin e shtatë. Na ndan pak nga podiumi. Për të qenë konkurrentë duhet të jemi gjysmë sekondi më të shpejtë në çdo xhiro".