Teki Biçoku emërohet kryetar i Akademisë së Shkencave
Profesor Teki Biçoku, është kryetari i ri i Akademisë së Shkencave. Pozicion që do ta ketë për pak kohë, pasi në shtator do të zhvillohen zgjedhjet. Ai u prezantua dje për postin drejtues të shkencës nga zv/kryeministri Gazmend Oketa, gjatë një mbledhjeje me anëtarë të Akademisë. Ndërsa në postin e nënkryetarit është emëruar profesor Gudar Beqiraj, që deri tani mbante postin e drejtorit të INIMA-s.
Gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë u prezantua edhe sekretari i ri i Akademisë që është profesor Jani Thomai. Kjo kryesi është e përkohshme, deri në momentin që vetë anëtarët e Akademisë së Shkencave të organizojnë zgjedhjet në bazë të ligjit për këtë institucion. Gjatë prezantimit të emrave të rinj, Oketa u shpreh se "ky është një hap i rëndësishëm në reformimin e Akademisë së Shkencave". Sipas tij, qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit do të japin të gjithë mbështetjen e nevojshme, që do të duhet për kryesinë e Akademisë së Shkencave". "Po në bazë të ligjit do të ngrihet një komision i përbërë nga 9 akademikë shqiptarë dhe të huaj, të cilët do të përcaktojnë kriteret që akademikët e ardhshëm duhet të plotësojnë për të qenë pjesë e këtij institucioni", sqaroi Oketa.
Në muajin shtator, përfaqësuesit e Akademisë do të votojnë për të zgjedhur emrin e ri të kreut të tyre. Dy muaj më parë kryetar i Akademisë së Shkencave u zgjodh profesor Rexhep Meidani, por Parlamenti miratoi një ligj të ri dhe e rrëzoi votimin e kryesisë për Meidanin. Me anë të ligjit të ri, Akademia e Shkencave pritet të reformohet. Ligji i ri konsiston në menaxhimin ndryshe të këtij institucioni, që nis me plotësimin e vendeve vakante në asamble dhe më tej ngritjen e një kryesie që do të menaxhojë zgjedhjet e reja. Ndryshimet në ligj janë kundërshtuar nga akademikët, por edhe nga Meidani kur diskutohej në komisionin parlamentar të edukimit.
Vetë Meidani është shprehur për "Shqip" para dekretimit të ligjit se "kjo është një marri e radhës". "Pas shkëputjes apo prishjes së instituteve shkencore, radhën e ka asambleja e Akademisë, trupa më e lartë shkencore e vendit. Ajo prishet dhe ndërtohet një tjetër me "kujdesin" e Kryeministrit‘, është shprehur ai.