Kryegjyqtarja e Apelit ankohet për punën e bërë nga shkalla e dytë e gjykimit
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibej, si dhe dy anëtarë të tjerë të KLD-së, kanë marrë pjesë dje në analizën e veprimtarisë së gjykatave të apelit Vlorë dhe të gjykatave që janë nën juridiksionin e kësaj gjykate. Në analizë morën pjesë prokurorë, gjyqtarë, avokatë të gjykatave pjesëmarrëse në këtë analizë. Sipas kryetarit të komanduar të Gjykatës së Apelit Vlorë, Alma Liçaj, kjo analizë zhvillohet në një frymë të përgjithshme të reformimit të sistemit të drejtësisë të iniciuar nga KLD, Ministria e Drejtësisë, duke synuar një transparencë më të madhe me publikun për veprimtarinë gjyqësore dhe procesin në vënien e drejtësisë; duke synuar gjithashtu në një transparencë të sistemit të drejtësisë dhe proceset në vënien e drejtësisë; pavarësinë në sistemin e drejtësisë, e pa ndikuar nga politika, sisteme dhe ndërhyrje të tjera në dhënien e vendimeve, duke e bërë këtë proces sa më kushtetues në shërbim të qytetarëve. Sipas Liçaj, kjo analizë ka për qëllim evidentimin e mangësive, të metave, si dhe arritjet në sistemin e drejtësisë Vlorë, për të garantuar më vonë një proces të drejtë dhe transparent kundrejt ligjit, për të respektuar ligjin në çdo procedurë. Alma Liçaj, kryetare e Gjykatës së Apelit të Vlorës, në analizën e këtij institucioni ka bërë një autokritikë, duke deklaruar se vendimet e marra nga kjo gjykatë nuk kanë qenë në nivelin e kërkuar. Janë konstatuar: Vendime me mangësi në arsyetim, si dhe mosdhënie përgjigje të të gjitha ankesave të të ankimuarve dhe mosdhënien e një arsyetimi bindës për kundërshtimin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë; Vonesa në përgatitjen e dosjeve dhe vonesa të pajustifikueshme në gjykime, duke sjellë kështu zvarritje të tejzgjatura në gjykime; Shtyrje të pamotivuara të seancave dhe përgjegjësia bie personalisht mbi çdo gjyqtar. Prezantohet një disiplinë e ulët në punë në Gjykatën e Apelit të Vlorës, si dhe vendime të dyshimta e ndonjëherë edhe të padrejta. Është skandaloze që nga momenti i regjistrimit një dosje të rrijë 6-7 muaj e më tej të fillojë gjykimi. Por gjithashtu probleme të shumta janë vërejtur në hedhjen e shorteve, pa bazuar në aktet ligjore, si dhe pa transparencë. "Aktualisht jemi duke kryer analizën dhe kontrollin në dy gjykata në Elbasan dhe në Durrës, për të vlerësuar punën e bërë nga gjyqtarët e këtyre gjykatave. Çdo gjyqtar i Republikës së Shqipërisë do t‘i nënshtrohet sistemit të vlerësimit që ka në vetvete komponentët, shtyllat e një sistemi karriere për gjyqtarët, që do të vlerësohen pozitivisht nga sistemi i lartë i drejtësisë", është shprehur Spahiu. "Në përgjithësi mjaftojnë dy kamera të fshehta, siç ka ndodhur në emisionin "Fiks Fare", ku shkojnë dhe filmojnë dy avokatë, të cilët bëjnë rolin e sekserit te gjyqtari, që prishin imazhin te shqiptarët. Ne do të reflektojmë ndaj këtyre rasteve dhe këtyre problemeve dhe në gjithë sistemin e drejtësisë, kush abuzon me ligjin, do të marrë ndëshkimin e merituar. Ai nuk do të ketë vend në sistemin e drejtësisë", ka thënë më tej ai. Ndërsa për ministrin e Drejtësisë, pavarësia e gjyqtarëve cenohet nga dy arsye, nga influenca politike dhe korrupsioni.
"Një gjë është e saktë, që gjyqësori shqiptar vuan thellësisht nga korrupsioni dhe korrupsionin nuk e bëjnë qytetarët që vijnë në zyrat tuaja, por detyrohen të japin para dhe unë nuk e di se kush i detyron të japin para dhe se kujt ia japin paratë. Mos prisni t‘u bëjnë kurthe të tjerët, ose t‘u filmojnë të tjerët si "Fiks Fare". Ju duhet të jeni vetë ata që të denonconi njerëzit në radhët tuaja, ata që merren me korrupsion, ndryshe do të humbisni të gjitha konotacionet e pushtetit të pavarur dhe do të jeni thjesht administratorë të futur në disa zyra të bukura dhe do të lëvizni me makina të bukura, do të mblidhni ca para dhe më pas do të shihni se kur vjen kontrolli i inspektoratit të lartë të Ministrisë së Drejtësisë", ka thënë më tej Alibej.