"Prokurori më mori 5 mijë euro"
Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje Zagoll Muçën, i cili ka pranuar se prokurori i Kavajës, Musa Malkurti, i kishte marrë 5 mijë euro për të kërkuar një dënim sa më të lehtë ndaj djalit të tij. Akuzat e Muçës në emisionin investigativ "Fiks Fare" janë vërtetuar edhe nga hetuesit, të cilët administruan dëshminë e qytetarit nga Kavaja. "Prokurori më kërkoi pesë mijë euro që të kërkonte një dënim minimal për djalin tim", mësohet se ka deklaruar ai. Djali i tij, Selam Muça, është arrestuar disa muaj më parë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë Kavajë ka filluar hetimi gjyqësor. Dy ditë përpara dhënies së konkluzioneve të organit të akuzës në këtë proces, i cili përfaqësohej nga prokurori Musa Malkurti, ky i fundit i kërkon babait të njërit prej të pandehurve që të paguajë 3500 euro, kundrejt një pretence me sa më pak vjet burg. Më pas kërkesa rritet, derisa pagesa bëhet në shumën e pesë mijë eurove. Ndërsa një grup inspektorësh nga Prokuroria e Përgjithshme kanë marrë në dorëzim dosjet e hetuara të prokurorit Musa Malkurti, i denoncuar nga "Fiks Fare" për marrje ryshfeti. Vartësit e Ina Ramës kanë tërhequr materialet nga Prokuroria e Kavajës, vend në të cilin ka punuar Malkurti. Nëse konstatojnë shkelje të procedurave të hetimit, atëherë raporti do t‘i kalojë njësisë antikorrupsion Task-Forcë, në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka marrë në dorë hetimet, ndërsa ka sekuestruar kasetën e emisionit investigativ.