Ekonomia e brishtë kosovare tregon shenja autonomie
"Ballkani drejt ringjalljes", me këto fjalë e niste opinionin e djeshëm në të përditshmen prestigjioze, "The Guardian", Oli Rehn, komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, si dhe autor i librit "Kufijtë e ardhshëm të Evropës". Drejt ringjalljes, pasi, sipas politikanit të lartë, ballkanasit sot janë përpara një zgjedhjeje jetike: rajoni më në fund është shumë pranë zgjidhjes së probleme shkatërrimtare të shkaktuara nga luftërat e viteve ‘90-të, ose rënies përsëri nën kthetrat e ekstremizmit dhe nacionalizmit të verbër. Opsioni i parë do t‘i shpinte drejt qëndrueshmërisë, prosperitetit dhe integrimit evropian, ndërkaq që për disa komentues e dyta është e pashmangshme. Ndërsa vetë Oli Rehn shfaqet kundër të dytëve dhe pro të parëve: "Mund të jemi vërtet përpara rrezikut të luhatjeve të stabilitetit tani që problemi i Kosovës po shkon drejt zgjidhjes", por "e ardhmja e gjithë rajonit sheh drejt Bashkimit Evropian dhe të gjithë e dinë se herët a vonë ai do jetë edhe pikëmbërritja".
Ndërkaq, vetëm pak orë përpara takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, agjencia "The Press Association" nënvizonte se vendet e BE-së duhet të arrijnë shpejt një marrëveshje për të ulur ndjenjat antiperëndimore në Serbi, në një çast kur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar qartë se kanë ndër mend ta njohin deklaratën për pavarësi të Kosovës. Në artikull flitet gjatë për kundërshtimet e forta që ngrihen nga Holanda dhe Belgjika, kur vjen fjala për afrimin e Serbisë në BE për shkak të vullnetit të munguar të saj në dorëzimin e kriminelëve të luftës: Ratko Mladiç dhe Radovan Karaxhiç, të cilët kërkohen vazhdimisht me këmbëngulje nga Gjykata e Hagës. Ndërkohë, mbështetësit e gjetjes së marrëveshjes me Serbinë duhet të nënshkruajnë përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi (më 3 shkurt), duke e parë si veprim që do të rreshtonte më shumë votues përkrah Presidentit aktual, Boris Tadiç, dhe që do dobësonte mbështetjen ndaj kandidatit radikal, Tomislav Nikoliç, i cili fitoi raundin e parë të zgjedhjeve, duke përdorur kartën e pakënaqësisë së lindur nga mbështetja ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.
Ekonomia e brishtë kosovare tregon shenja autonomie
"Ekonomia e Kosovës, pre e shtimit të popullsisë dhe shifrave të papunësisë", shkruan rrjeti gjerman i informacionit, "Deutsche Welle", "varet në masë mjaft të madhe nga të ardhurat e emigrantëve. Por, për provincën që po shpall pavarësinë nga Serbia, në fund të tunelit shihet dritë dhe euro". Për të treguar sa e vështirë do të jetë mëkëmbja e ekonomisë së Kosovës, artikulli përshkruan gjendjen e saj aktuale. Sipas asaj që thotë politologu Belul Beqaj, më shumë se gjysma e popullsisë jeton në kushte varfërie të thellë, ndërkohë që mungojnë vendet e punës. Një e treta e rezidentëve të saj janë nën moshën 14-vjeçare, ndërkohë që çdo vit shumë kosovarë kërkojnë punë jashtë vendit.
Numërohen rreth 330 mijë të papunë. Shumica e të punësuarve i përket sektorit publik, i cili është edhe punëdhënësi më i madh në vend. Artikulli vëren se rrogat më të larta në vend regjistrohen tek ata njerëz që punojnë për llogari të organizatave të huaja. Sektori privat më së shumti konsiston në tregtinë me pakicë dhe bizneset më të shumta punësojnë vetëm dy-tre vetë me paga minimale.
Varësia nga emigracioni
Sipas "Deutsche Welle"-s, pjesa tjetër e popullsisë mbështet mjetet e jetesës në tregun e zi dhe në të ardhurat e dërguara nga të afërmit jashtë kufijve. Rreth 375 mijë kosovarë punojnë dhe jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani dhe Zvicër. Në total, emigrantët dërgojnë 450 milionë euro në shtëpitë e tyre, që përfaqëson gjysmën e buxhetit të Kosovës. "Nuk e di sa do mund të mbijetoja pa paratë që më dërgojnë nga jashtë", thotë për "Deutsche Welle" ekonomisti kosovar, Ibrahim Rexhepi. "Importojmë të mira me vlerë 1.5 miliardë euro, por eksportet tona zor se i kalojnë 150 milionë eurot". Rexhepi shton se hapja e tregut për investuesit e huaj do ta lehtësonte ndjeshëm situatën, ashtu si edhe hapja e kufijve, gjë që do t‘u krijonte kosovarëve të papunë mundësinë të punësoheshin jashtë vendit.
Një rreze drite në hapësirë
Me gjithë kundërshtitë e shumta, sektori i energjisë shihet si rreze drite. Kjo edhe pse kompania e prodhimit të energjisë elektrike të Kosovës prodhon vetëm 800 megavat në ditë, që plotëson jo më shumë se 80% të nevojës, ndërkohë që nuk gjenden burimet financiare për të blerë nga fqinjët.
Por që tani po flitet për mundësinë e ndërtimit të një impianti të tretë energjetik qymyrguror. Llogaritet se sipërfaqja e Kosovës fsheh 15 miliardë tonë qymyr. Mendohet gjithashtu se gjenden edhe 20 miliardë tonë plumb e zink, si edhe 15 miliardë tonë nikel.
"Falë depozitave të mëdha të qymyrit, Kosova do jetë në gjendje të eksportojë energji elektrike", tha për "Deutsche Welle" Nezir Sinani, zëdhënësi i një prej impianteve elektrike të Kosovës.
Për rrjetin gjerman, "Serbia mbetet partneri më i rëndësishëm i Kosovës, bashkë me Maqedoninë dhe Kroacinë, megjithëse qeveria serbe ka kërcënuar për ngritjen e një embargoje të ashpër ekonomike në rast se ajo shpall pavarësinë". Në rast se kjo do të ndodhte vërtet, do të sillte një rritje çmimesh prej 10%, ndërkohë që çmimet në Prishtinë - ku monedha zyrtare është euro - janë që tani të krahasueshme me ato të vendeve të Bashkimit Evropian.