E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shihemi dhe dëgjohemi në ‘Top Fest‘"

Shkodrania Rezarta Smaja, e cila u eliminua parmbrëmë nga faza finale e "Etheve", ishte më e madhja në moshë ndër etheistët, plot 23 vjeç. Studente në vitin e fundit të degës së Gjuhë-Letërsisë në Universitetin "Luigj Gurakuqi", ajo ka marrë pjesë që në edicionin e parë të "Etheve", por për arsye shëndetësore, nuk ka mundur të bëjë përpara atëherë. Kështu, ajo vendos t‘i hyjë sërish sfidës së këngës, duke mbërritur deri në fazën finale. Por udha e saj drejt një suksesi të mundshëm u pre të dielën mbrëma, pasi votat ndaj saj, ishin më të pakta në numër se të konkurrentëve të tjerë. Gjithsesi, ajo u vlerësua lart për reagimin dinjitoz në çastin e eliminimit, ku e buzëqeshur, përcolli puthje e përshëndetje mirënjohëse drejt publikut. Lidhjen me këngën, Smaja e ka pasur që e vogël. Shkollën e mesme e ka përfunduar për kanto, në të mirënjohurën "Preng Jakova" në qytetin e saj. Dhe është kënga ajo që e ka bërë të jetë e pranishme në skenë për shumë vite, deri dhe me trupën profesionistë të "Migjenit". Le të flasim për "Ethet".

Çfarë ishte për ju pjesëmarrja në "Ethe" më tepër se një dëshirë dhe ambicie?

Pjesëmarrja në "Ethe" ishte dhe një peng për mua, që më trazonte gjithnjë gjumin. Unë kam marrë pjesë që në "Ethet" e para, por një problem shëndetësor, më saktë, në laring, më bëri që të mos vazhdoja më tej. Kështu, kur erdhi ky edicion, isha tërësisht e gatshme që t‘i futesha kësaj sfide, siç edhe bëra, duke shkuar deri në finale. Dhe nuk besoj se është pak.

U futët në "Ethe" edhe me besimin se do të fitonit, apo thjesht për të përftuar sadisfaksionin e pjesëmarrjes?

Po. Mund të them se u futa me besim të plotë.

Po deri ku shkonte besimi juaj?

Kisha besim edhe se mund të fitoja, duke e tejkaluar thjesht pjesëmarrjen. Dhe këtë e tregoi mbërritja gjer në fazën finale, apo jo? Por e dija njëkohësisht se do të kishte dhe kthesa të papritura. Llogarisja edhe ato që janë çështje fati, ose siç themi, ecje apo mos ecje në një gjë, paçka se mund ta ndjesh veten në nivele të larta profesionale.

Etapë pas etape që i kaloje ato, çfarë mendonit për veten?

Sigurisht më rritej besimi, por kur rrethi ngushtohej, mendoja se duhet të punoja më shumë.

Ku mendoni se gabuat mbrëmë?

Ndoshta nuk gabova apo çalova aq dukshëm dhe aq ndjeshëm sa për t‘u ndëshkuar, por them se te publiku që votoi mund të ketë influencuar ndonjë fazë paraardhëse, ku nuk kam treguar nivelin e duhur. E megjithatë, nuk mendoj se isha shumë mirë dhe mbrëmë. Jam e ndërgjegjshme që duhet të kisha punuar më tepër.

Çfarë menduat pas gjykimit të jurisë?

Mendova se ndoshta do t‘ia hedh edhe këtë radhë, ndërkohë që kisha dyshime se mund të isha unë e eliminuara, por këto dyshime nuk ekzistonin vetëm të unë. Etheistët bashkohen në shumë pika, por sidomos në atë që të gjithë pushtohen nga dyshimet, ashtu si dhe nga shpresa për fitore sigurisht.

A e kishit projektuar më parë veten si humbëse dhe për mënyrën se si do të reagonit?

Nuk e kisha menduar fare, sepse jam tipi që i pres gjërat të vijnë vetvetiu, pa u përgatitur shumë për to.

Më tregoni pak për momentet e fundit...

Në momentet që Krasta po thoshte "eliminohet" dhe bëri një pauzë, unë thosha me veten time "Smaja", por nuk ishte se mendoja që duhet të ikja. Thjesht ishte një parandjenjë.

Po për shoqen tuaj në krah, atë që e kaloi fazën, çfarë menduat?

Për Himenën? Jam shumë e kënaqur për Himenën se është një vajzë e mrekullueshme. Është një njeri shumë i mirë që gjithnjë na është bërë krah që kur kemi ardhur në Tiranë. Sa herë që largohej pas provave, kthehej nga ne jo tiranasit dhe na thoshte: "Çfarë keni nevojë t‘iu sjell nga shtëpia?", dhe unë këtë nuk do t‘ia harroj kurrë, për gjithë jetën. Ndërkohë, shpresoj që Himena të vazhdojë atë që lashë unë përgjysmë.

Publiku u mësua të shihte lot në mbarin të çdo nate, ndërsa ju e kaluat me shumë qetësi dhe buzëqeshje eliminimin. Këtu ka vend për të thënë që kjo, ishte zgjedhje momentale, apo thjesht është tipi juaj që i kalon të tilla momente kaq lehtësisht?

Mendoj që të gjithë etheistët duhet të reagojnë kështu. Lot dhe mund të të dalin, por të qash e të shkrehesh në vaj nga dhimbja nuk më duket e arsyeshme, ndërkohë që duhet menduar më shumë për momentet e bukura që kemi kaluar në "Ethe" gjatë këtyre muajve. Mua për shembull, ajo që më mërziti më shumë, ishte ndarja nga etheistët e tjerë, kryesisht nga Marjeta dhe sidomos nga dy Dorinat, pasi kemi jetuar bashkë gjatë gjithë kësaj kohe dhe çastet e kaluara me to nuk harrohen kollaj.

I puth fort dhe besoj se do të ecin shumë përpara.

Cilat ishin momentet prapa skenës pas mbylljes së spektaklit?

U takova me prindërit, të cilët ishin në sallë duke më ndjekur. Ata erdhën të më ngushëllonin dhe mbështesnin, ndërsa telefoni nuk pushonte nga i fejuari dhe të afërmit e tjerë, ku që të gjithë i falënderoj për fjalët e mira dhe lehtësuese që më përcollën. Por për mua, aty filloi dhe pjesa më e vështirë, sepse lotët që pashë në sytë e shoqeve, më bënë të qaja dhe unë, dhe isha unë që u thosha: "Mbahuni të forta, mos e lëshoni veten!"

Ndërsa nata kaloi në një festë shoqërore.

Si e nisët ditën sot psikologjikisht?

E nisa me shprehjen: "Sot është një ditë e re dhe me plane të reja". Te planet e reja është edhe pjesëmarrja në "Top Fest". Shpresoj që publiku të më presë dhe përkrahë siç ndodhi edhe në "Ethe".

E falënderoj shumë publikun; falënderoj shumë anëtarët e jurisë që janë të mrekullueshëm. Falënderoj mjeshtrin Pali Kuke, por dhe Adi Krastën. Falënderoj edhe "Top Channel" sigurisht që po na hap një tjetër derë suksesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›