E Diel, 1 Nëntor 2026

Në metro me Kadarenë

Në metrotë e Parisit (qytetit ku shkrimtari ndan jetën mes Tiranës prej vitesh) apo në çdo metro të një vendi tjetër në Perëndim, është bërë e zakonshme të shohësh përtej duarve që mbajnë lehtë një libër, në kapakun e tij emrin Ismail Kadare.

Aleksa, një gazetare e re franceze, tregonte disa muaj më parë se "Kadare e kishte bërë ta njihte më mirë Ballkanin dhe shpirtin e tij". Por nuk ishte vetëm Ballkani ajo çfarë e bënte Aleksën të fliste me aq pasion për shkrimtarin shqiptar, por edhe diçka tjetër tepër njerëzore që gjendet në librat e tij, diçka që mungon nëse i referohemi letërsisë që bëhet sot. Vajza që frekuentonte ambientet letrare në Paris, fliste me gjuhën e këtyre takimeve, ndërsa kërkonte të tregonte se sa e rëndësishme është vepra që Kadare ka shkruar. Duke e krahasuar me klasikët, ajo e quante shkrimtarin shqiptar një klasik modern, brenda të cilit është ngjizur aq bukur jo vetëm e shkuara, por edhe e ardhmja. Letërsia e mirë i flet së ardhmes dhe Aleksa ishte e bindur se librat që i kishte ruajtur me aq kujdes në bibliotekën e saj të shkrimtarit shqiptar do t‘i duheshin sërish atëherë kur të ishte një 50-vjeçare. Atëherë kur në duart e saj do të dukej trishtimi i viteve, Aleksa kishte gjetur një zgjedhje për t‘i shpëtuar frikës së plakjes, apo frikës se nuk do të kishte më forcë për të dashur sërish, "Do të lexonte Kadarenë". Ashtu si Susana Tamaro (një prej shkrimtareve më të njohura bashkëkohore italiane) do të shprehej në një intervistë dhënë disa kohë më parë dhënë gazetës "Shqip" që "Kadare kishte qenë një model letrar për të në fillimet e saj si shkrimtare", dhe Aleksa besonte se librat e tij do të ishin rekomandimi më i mirë që mund t‘ia jepje një shkrimtari të ri. Si gazetare kulture e një vendi si Franca, Aleksa kujtonte moton e profesorëve të saj, se "libri mund të bëjë gjëmën nëse nuk di ta zgjedhësh atë". Ndaj për të ishte e nevojshme t‘u rikthehej shpesh librave të shkrimtarit shqiptar për t‘ua rekomanduar lexuesve. Kjo sepse ajo besonte se "një libër i mirë mund të ndryshojë jetën", ashtu si në një farë mënyre librat e shkrimtarit shqiptar kishin ndryshuar mënyrën e të perceptuarit të gjërave në të përditshmen e saj.

Aleksa e vizitoi Tiranën një muaj më parë. Në shfletimet që i bënte shtypit ato ditë dhjetori, ajo kërkonte me ngulm të gjente në të përditshmet tona një shkrim për shkrimtarin. Kjo pasi në filozofinë e punës me të cilën ajo ishte mësuar, për emra të rëndësishëm në kulturën e një vendi, nuk kanë shumë rëndësi aktivitetet, promovimet e librave, për të shkruar. Janë kaq shumë libra të shkruar gjithë këto vite prej tij, sa mund të gjesh në to qoftë dhe një detaj për ta kthyer në shkrim.

Ndoshta Aleksa kishte të drejtë, teksa kërkonte me ngulm të dëgjonte nga njerëzit që takoi se çmendonin ata për një shkrimtar të madh që jetonte këtu, si Kadare. Dhe trishtimi i saj për shtypin ishte më se i kuptueshëm, nëse u referohemi kushteve të punës së saj.

Por nuk është vetëm Aleksa që kërkon të flasë pambarimisht mbi fuqinë e një shkrimtari dhe forcën që ai ka për të depërtuar thellë qenies njerëzore. Në këto 17 vite postkomuniste kemi lexuar me dhjetëra artikuj nga të përditshmet më prestigjioze, të cilat analizojnë në mënyrat e tyre ndjesitë nga leximet e librave të Kadaresë. Një i huaj i zakonshëm apo dhe një shqiptar që nuk ka ndonjë lidhje të madhe me leximet, i përgjigjet tepër lehtë pyetjes se cilin shkrimtar do të zgjidhte nëse do t‘i duhej të blinte një libër në librari. Ai do të ishte Kadare.

Ka shumë kritikë të huaj që e quajnë interesant faktin se si një vend i vogël, me një të kaluar dramatike siç ishte komunizmi, posedon një letërsi të madhe. Apo sesi në një kohë kur analistët politikë dhe ekonomikë flasin për problemet me të cilat duhet të përballet një shtet i ri politik dhe ekonomik si Shqipëria, letërsia e këtij vendi arrin të kalojë caqet më të rëndësishme letrare në botë. Marrja e çmimit "Man booker", një nga çmimet më prestigjioze letrare që çdo shkrimtar në botë e ëndërron dhe që Kadare e mori aq lehtë, apo hyrja në listën e shkrimtarëve që kandidojnë për çmimin "Nobel", për çdo njeri që nuk merr vesh nga letërsia do të dukej gati-gati e pabesueshme, se si ky shkrimtar që ka arritur këto nivele vjen nga një vend që ende është në negociata për në NATO dhe ende larg BE-së.

Po ndoshta duhet të besojmë nobelisten austriake Elfrid Jelinek, e cila shprehet se letërsia e madhe qëndron pikërisht aty ku vuajtja është e tillë.

"Asgjë e bukur nuk mund të jetë e tillë, nëse nuk ka lindur nga diçka e vërtetë", thotë Jelinek. Dhe ndoshta letërsia e Kadaresë mund të quhet e bukur, për faktin se ka ditur të shprehë gjithë historinë, dhembjen, të shkuarën, kulturën e një populli me stilin dhe gjuhën e një njeriu që ka lindur për të shkruar.

Ndoshta për këtë fakt, ne do t‘i detyrohemi gjithnjë shkrimtarit që diti të shihte të bukurën, atë të bukur që gjendej brenda një njeriu që ka jetuar një nga sistemet totalitare më të errëta në Ballkan. Shqiptari i librave të tij, është një njeri me vlera, një njeri që di të dashurojë dhe të japë gjykimin e tij për diktaturën dhe ta mposhtë atë, qoftë dhe me heshtje.

Dje, shkrimtari pati përvjetorin e tij të 72-të. Duke respektuar marrëdhënien intime që çdo njeri ka me ditën e tij të lindjes, si një ditë kur qoftë dhe në një moment ti i hedh një sy së shkuarës, në ke mundur të bësh ëndrrat që kanë qenë brenda teje kur ke qenë i ri, ne shkruam këto radhë thjesht si një formë mirënjohjeje për forcën që na ka dhënë sa herë endemi në librat e tij. Jeta e një shkrimtari, ashtu si jeta e çdo njërit prej nesh, mund të jetë një libër më vete. Ne mund të imagjinojmë thjesht në një moment se si një djalosh nga Gjirokastra që i pëlqenin librat, mundi të kthehej në një njeri po aq të rëndësishëm sa ata autorë që ai mund të ketë dashur në fillimet e tij. Dhe ende sot, vijon të jetë burri me vështrimin plot jetë nën syze, me të cilin do të donte të bisedonte qoftë vetëm disa momente çdo i ri që ëndërron të shkruajë libra.

Sigurisht që Aleksa ka të drejtë. Janë mijëra detaje që mund të frymëzojnë për shkrime në veprat e tij. Dhe një shkrim nuk mund të mjaftojë as për të treguar dashurinë me të cilën ky shkrimtar e ka trajtuar gjithnjë profesionin që zgjodhi qysh i ri, të shkruarin. Në këtë përvjetor të heshtur, urimet tona për të do të ishin të pafundme…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›