KRYEMINISTRIT ZOTIT SALI BERISHA
Zoti Kryeministër.
Të enjten, më 24 janar 2008 në gazetën "NDRYSHE" u botua një artikull në faqen e dytë, si kryeartikull me autor Genc Lakaj (duhet të jetë pseudonim), ku bëhej thirrje për eliminimin tim fizik.
Ky artikull ka fyerjet dhe sharjet më ekstreme që mund të imagjinohen dhe mbyllet: "Si ka mundësi që një specie e tillë si ti merr frymë ende në këtë tokë të bekuar nga Zoti, duke vepruar kundër dëshirës tone dhe Zotit". Është formulimi klasik i një Fatva-je. Apeli është fare i qartë. Që nga fillimi i gushtit në këtë gazetë janë botuar pesë artikuj mbushur me shpifje, falsifikime, fyerje, denigrime, poshtërime dhe kërcënime të hapura.
Nuk jam përgjigjur në asnjërën, sepse shikoja që përveç ligësisë kishin edhe një marrëzi ekstreme përderisa arritën të shkruanin se edhe Brixhit Bardoja është labe dhe duhet lexuar Bringjit Bardhi.
Sidoqoftë, bëra padi civile për shpifje dhe fyerje publike.
Gjyqi nis më 30 janar.
Çuditërisht, pasi kishin marrë letër- thirrjen për gjyq, botojnë këtë artikull që është formuluar si nga një celulë terroriste.
Por për mua çudia më e madhe është se asnjë nga organizmat shtetërorë të sigurisë nuk po interesohet.
Si ta quaj këtë zoti Kryeministër, bashkëpunim apo mosveprim i qëllimshëm?
Si qytetar amerikan po vë në dijeni Ambasadën Amerikane në Tiranë.
Me respekt Maks Velo
Tiranë më 28 janar 2008