E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, rikthehen draftet që përplasën mazhorancën me opozitën

Heqja e imuniteteve, spiunët dhe abrogimi i ligjit 7501, janë disa nga pikat që pritet të rikthejnë përplasjen e madhe në Kuvendin shqiptar. Shkak do të jenë projektligjet e mbetura pezull nga viti 2007, të cilat me dashje apo pa dashje, janë spostuar për sesionin ri parlamentar, i cili ka pak ditë që ka filluar. Në bazë të kalendarit të punimeve të Kuvendit për tri javët në vijim, nga 21 janari deri më 11 shkurt, deputetët do të diskutojnë disa nga projektligjet më të debatuara. Punën më të madhe edhe në këtë sesion pritet ta ketë Komisioni i Ligjeve dhe ai i Ekonomisë, pasi mbi ta bie dhe pesha më e madhe e debateve dhe vendimmarrjes. Brenda këtyre tri javëve, deputetët duhet të diskutojnë dhe të kalojnë për votim projektligjin "Për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale". Ky projektligj shkaktoi mjaft debate në seancën e fundit parlamentare, kur u diskutua dhe u votua për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha, i cili po hetohet nga prokuroria për korrupsion. Gjithashtu Kuvendi rikthen për diskutim në Komisionin e ligjeve dhe më pas në Kuvend edhe një nga projektligjet më të debatuara. Atë "për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve", i paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së. Projektligjin "Për verifikimin e të qenit bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete shqiptare para datës 31.12.1992, të funksionarëve të lartë publikë" paraqitur nga grupi parlamentar i PS-së dhe projektligji "Për kontrollin e figurës së personit zyrtar të zgjedhur apo emëruar në organet e rëndësishme të shtetit" paraqitur nga deputeti i PDK-së Nard Ndoka. Të tre këto projektligje kanë gati një vit që rrinë në zyrat e Kuvendit pa munduar të kalojnë për votim. Këto projektligje kanë tensionuar mjaft politikën pasi mendohet se në rrahët e saj ka mjaft ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Projektligj tjetër i cili konsiderohet i rëndësishëm dhe do të kalojë brenda këtyre tri javëve për diskutim dhe miratim është ai "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8328, datë 16.4.1998 "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve", të ndryshuar". Pjesë e diskutimit dhe miratimit në këtë kalendar do të jetë edhe paketa e reformës në sistemin e drejtësisë, e cila aktualisht ka nisur diskutimin në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Medias. Në këtë paketë bëjnë pjesë projektligjet për disa shtesa dhe ndryshime në "Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë". Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar. Projektligji "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë". Gjithashtu do të votohet edhe projektligji "Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, i paraqitur nga deputeti i PR-së, Arian Madhi. Ky projektligj është diskutuar në Kuvend, por në sesionin e 2007-ës nuk arriti të votohet, duke e zvarritur për në sesionin e ri. Projektligj që pritet të diskutohet dhe votohet në Kuvend është edhe ai "Për huamarrjen e qeverisjes vendore". Projektligji "Për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi sasinë e arit dhe metaleve të tjera të çmuara, nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Bankës së Shqipërisë".

Projektligji "Për vlefshmërinë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". Projektligji "Për një shtesë në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 "Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore". Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9157, datë 4.12.2003 "Për përgjimin e telekomunikimeve". Propozime për anëtarë të KLD-së. Struktura dhe numri i punonjësve të ERE-s për vitin 2008, paraqitur nga ERE, më 18.12.2007, si dhe kërkesa për mocion me debat me kryetarin e Këshillit të Ministrave, për të dhënë vlerësimet që jep raporti i Komisionit të Evropës mbi progresin e Shqipërisë, për plotësimin e detyrave përkatëse. Kjo kërkesë është bërë nga grupi parlamentar i PS-së më 21.11.2007 por u shty për në janar të 2008-ës nga vetë grupi socialist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›