E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF-MTKRS, sot dita e së vërtetës

Futbolli shqiptar po bëhet gati të përjetojë një ditë të rëndësishme për fatet e tij, pasi grupi i auditimit i dy ministrive do të kërkojë sot të fillojë kontrollin në zyrat e FSHF-së. Ashtu siç kanë bërë të ditur zyrtarët e institucioneve shtetërore, ky auditim do të kryhet sipas ligjeve shqiptare, ndërsa kanë përcaktuar edhe ditën e sotme si atë të fillimit të punës. Normalisht, udhëzimet e dhëna nga FIFA dhe UEFA janë për ndërprerjen e menjëhershme të këtij kontrolli financiar dhe uljen për të disatën herë në tavolinën e bisedimeve. Por nëse pala shtetërore do të paraqitet sot para dyerve të FSHF-së me të njëjtin material auditimi si atë të javëve të kaluara, futbolli shqiptar mund ta pësojë shumë rëndë.

FIFA dhe UEFA i kanë bërë thirrje shtetit shqiptar të ndalë sulmet ndaj futbollit dhe të mendojë më shumë për ta ndihmuar atë. Por vetëm sot do të mësohet nëse shteti shqiptar e ka dëgjuar këtë apel në formë ultimatumi me data të qarta. Sipas burimeve pranë ministrive, grupi i auditimit do të kërkojë të zbatojë planin fillestar, duke tentuar të fillojë kontrollin në FSHF. Kësaj të fundit duket se nuk i ka mbetur asnjë rrugë tjetër veprimi përveç bllokimit të kontrollit, edhe pse kjo mund t‘u kushtojë shtrenjtë drejtuesve, të cilët në të kaluarën jo shumë të largët janë përballur me çështje gjyqësore për një gjë të tillë. Udhëzimi i FIFA-s dhe UEFA-s shpreh qartë se institucionet shqiptare do të ndërhyjnë në autonominë e FSHF-së nëse kërkojnë kontrollin e fondeve ndërkombëtare, një parim të cilin e ka pranuar çdo vend i Bashkimit Evropian. Pasojat e kësaj ndërhyrjeje mund të jenë katastrofike për futbollin shqiptar, i cili mund të penalizohet me përjashtimin nga aktivitetet ndërkombëtare. Edhe vetë klubet shqiptare kanë bërë dje apel për ndryshimin e urdhrit të dhënë nga ministritë, duke bërë të qartë se përjashtimi ndërkombëtar mund t‘i japë goditjen e fundit futbollit në vendin tonë.

Në këtë situatë, gjithçka do të përcaktohet sot nga vendimi i palës shtetërore. Nëse grupi i kontrollit do të paraqitet me një program që nuk cenon interesat e FIFA-s dhe UEFA-s, por që ka si qëllim vetëm studimin e transaksioneve financiare të fondeve shtetërore, atëherë pritet që FSHF të hapë dyert për të, ndonëse ndërkombëtarët kanë kërkuar që të ndërpritet menjëherë auditimi. Por duke parë reagimet e fundit nga përfaqësuesit e MTKRS-së, duket e vështirë që një gjë e tillë të ndodhë, ndonëse kjo do të thotë sakrifikimin e një prej sporteve të pakët që garanton pjesëmarrjen ndërkombëtare gjatë çdo viti, si një reklamë e vazhdueshme për vendin tonë.

Rreziku

Të rinjtë, ata e pësojnë të parët

Nëse Shqipëria do të përjashtohet nga aktivitetet ndërkombëtare, ato që do ta pësojnë të parat do të jenë kombëtaret e moshave, pasi ndeshjet zyrtare të kombëtares së madhe nuk fillojnë deri në shtator të këtij viti. Në eventualitetin që shteti shqiptar nuk do të zbatojë kërkesat e FIFA-s dhe UEFA-s brenda datës 21 shkurt, të pasuar me një përjashtim, atëherë rreziku i parë bie mbi përfaqësuesen U21. Kjo e fundit luan më 26 mars në Vlorë ndeshjen e saj zyrtare kundër Greqisë, takim i vlefshëm për eliminatoret e EURO 2009. Normalisht, përjashtimi do të thotë që kjo ndeshje do t‘i kalojë në tavolinë skuadrës greke, që do të marrë tri pikë shumë më të lehta se ato të suksesit 2-1 në Greqi. Më pas, radhën do ta ketë përfaqësuesja U19, e cila nuk do të marrë pjesë në turin e dytë të eliminatoreve të Evropianit të këtij vitit, ku ka përballë Gjermaninë, Kroacinë dhe Sllovakinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›