Elbasani në vëmendjen e medieve italiane me projektin gastronomik Krohn

ELBASAN, 1 qershor /ATSH/ – Në zemër të zonës rurale pranë Elbasanit, rreth 30 minuta larg Tiranës, po tërheq vëmendjen projekti gastronomik Krohn, i fokusuar te mishi i gjahut, produktet e egra dhe kuzhina e lidhur ngushtë me territorin.
Në krye të kuzhinës është shefi italo-shqiptar Bleri Dervishi, i cili emigroi në Itali në vitet ’90 dhe ndërtoi atje formimin e tij profesional përpara se të rikthehej në Shqipëri. Dervishi njihet edhe si themelues i restorantit gastronomik “Gzona” në Tiranë dhe për angazhimin e tij në promovimin e produkteve vendase dhe të kuzhinës shqiptare bashkëkohore.
Sipas medias italiane CiboToday, Krohn është konceptuar si një destinacion gastronomik ku natyra, produktet e territorit dhe teknikat moderne të gatimit ndërthuren për të krijuar një përvojë autentike, të lidhur ngushtë me peizazhin dhe traditat e zonës së Elbasanit.
Projekti synon të vlerësojë biodiversitetin dhe trashëgiminë kulinare shqiptare, duke i dhënë rëndësi përdorimit të lëndëve të para vendase dhe interpretimit bashkëkohor të tyre. Në këtë mënyrë, Krohn do të shndërrohet në një pikë referimi për gastronominë e territorit dhe një shembull të promovimit të Shqipërisë përmes kulinarisë. /r.e/