Hita në Vlorë: Në Zvërnec policia u shfaq joprofesioniste, territori i rrethuar pronë private

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita prezantoi sot drejtorin e komanduar të Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu, pas shkarkimit të Elidon Çelës tri ditë më parë për ngjarjet që ndodhën gjatë tubimit të zhvilluar në Zvërnec.
Gjatë një konference për mediet, Hita tha se Ndreu do të ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zbatimit të ligjit.
Kreu i Policisë së Shtetit nënvizoi se ngjarja e ndodhur, mënyra e menaxhimit të saj dhe informacioni i pasaktë i përcjellë publikisht, kanë cenuar standardin që unë kërkoj nga Policia e Shtetit dhe besimin që qytetarët duhet të kenë tek institucioni ynë.
Për këtë arsye, vijoi ai, kam marrë vendime të menjëhershme që në orët e para pas ngjarjes dhe janë nisur procese të plota hetimore e administrative për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse.
Sipas tij, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u shkarkua “për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj, në Zvërnec, por mbi të gjitha për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht, për një qytetar që u mor me forcë dhe u godit nga rojet e sigurisë private në kantier”.
Hita theksoi se policia e Vlorës “duhet të identifikojë problematikat, si edhe të bëjë propozimet përkatëse, qoftë për masa administrative të reja, qoftë kandidatura të reja drejtuese në drejtori dhe komisariate, sipas nevojave”.
“Menaxhimi i strukturave, i situatave dhe i problematikave nga ana e drejtuesve të drejtorive dhe komisariateve në varësi, integriteti, transparenca dhe shërbimi ndaj qytetarëve, janë elemente bazë të vlerësimit për ta, por edhe domosdoshmëri për të mos humbur besimin dhe mbështetjen e qytetarëve”, tha ai.
Hita i kërkoi drejtorisë vendore të Policisë Vlorë që të jetë sa më e hapur, sa më aktive dhe profesionale në shërbim të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit.
Sipas tij policia e Vlorës nuk duhet të “përfaqësohet kurrsesi dhe në asnjë rast para publikut, me dobësinë e papranueshme të tri ditëve më parë në Zvërnec, ku Policia u shfaq e fjetur dhe joprofesionale, duke mos ndërhyrë në kohë për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësin që goditi me grusht qytetarin, ajo trupë na turpëroi të gjithëve”.
Hita shtoi se ka urdhëruar që prej pasdites së datës 30 maj, ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor, i cili do të hetojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës si dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë një hetim të plotë dhe të thelluar disiplinor për gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë.
“Po në funksion të nxjerrjes së përgjegjësive, në vijim të veprimeve administrative të kryera nga grupi i posaçëm i Departamentit për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje. Për këto shkelje mora vendim për heqjen e licencave të të dyja subjekteve ShPSF”, tha ai.
Hita tha se i ka kërkuar qytetarëve ndjesë publike për informacionin e pasaktë, teksa theksoi se “besimi i publikut te Policia e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”.
“Por dua ta përsëris edhe këtu sot atë ndjesë, sepse Vlora dhe vlonjatët meritojnë respektin tonë më të madh dhe në asnjë mënyrë atë që panë e përjetuan atë ditë”, tha ai.
Nga ana tjetër, Hita nënvizoi se “Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të garantojë rendin dhe sigurinë e protestuesve të çfarëdo natyre, por po ashtu ka detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor”.
Konkretisht, tha Hita “territori i rrethuar rezulton pronë private, me dokumentacion të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin. Prandaj përfitoj nga rasti t’u drejtohem qytetarëve që protestojnë, që çdo pretendim që kanë mbi pronën apo zhvillimin e saj, ta adresojnë në Gjykatë, sepse drejtësia, jo forca e ndan kush ka të drejtë e kush jo në sistemin demokratik”.
Gjithashtu Hita tha se veprimet hetimore dhe administrative në lidhje me ngjarjen e datës 30 maj vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe rezultatet përfundimtare do t’i bëhen të njohura opinionit publik.
/m.q/r.e/ /a.g/