E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama për raportimin nga mediet greke: Për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me projekt marramendës

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale reagimin e kryetarit të diasporës shqiptare në Greqi, Edmond Guri, i cili shprehet i habitur me jehonën që ka shkaktuar në median greke ngjarja në Zvërnec.

Guri shprehet se në 35 vite në Greqi nuk e ka parë kurrë këtë mobilizim.

Në këtë drejtim, Rama kujton se “për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botës”.

“E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë. Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës”, shtoi Rama.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryeministrit Rama:

“35 vjet s’e kam parë kurrë këtë mobilizim”

Eh vëllai im, po normal, sepse për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botës.

E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë.

Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës, nga 10 mijë vende pune cilësore, nga rritja e prodhimit të përgjithshëm kombëtar me 4% deri në 2030, rritja e të ardhurave për frymë, rritja e pagave e pensioneve (si në Malin e Zi për shembull, largqoftë), nga rritja e vlerës së pronës së çdo vlonjati e jo vetëm, nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës për bujqit, peshkatarët, shoferët e me radhë të gjithë subjektet e lidhura me atë zinxhir, nga personazhet botërore të artit, sportit, modës, biznesit, që mos e dhëntë Zoti do vinin e do flinin, disa edhe do blinin edhe shtëpi në Vlorë…

Po mirë këto, po pse pak është shpëtimi i Shqipërisë nga rritja e mëtejshme e imazhit ndërkombëtar, i cili edhe kaq edhe u teprua shumë, sepse në sytë e botës Shqipëria duhet të jetë mafie, korrupsion, llum.

Prandaj të gjithë shqiponjat në protestë sot, se mbulimin nga media greke e keni të garantuar, dy zogj me një gur d.m.th”.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›