E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha takon Ulutaş: KFOR, rol jetik për paqen dhe stabilitetin në Kosovë

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha vlerësoi sot rolin jetik të misionit të KFOR-it në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Özkan Ulutaş.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha shprehu mirënjohjen për kontributin e vendeve pjesëmarrëse në misionin e NATO-s në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet.

“Shqipëria vlerëson lart rolin jetik që KFOR-i vazhdon të luajë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë”, u shpreh Hoxha.

Kryediplomati shqiptar theksoi se KFOR-i ka luajtur rol vendimtar në përballimin e sfidave të sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe krijimin e kushteve për dialog, forcimin e institucioneve dhe paqen afatgjatë.

Hoxha nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në mbështetje të përpjekjeve të Aleancës në rajon dhe është krenare për kontributin e saj në KFOR me një kontingjent të konsiderueshëm.

“Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe afrimin gradual të saj me standardet dhe praktikat e Aleancës”, theksoi ai.

Sipas ministrit, siguria e Kosovës është e lidhur ngushtë me interesat kombëtare dhe rajonale të sigurisë së Shqipërisë, ndërsa stabiliteti në Kosovë kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

Hoxha shtoi se, ndërsa prania e KFOR-it mbetet e domosdoshme, siguria afatgjatë e Kosovës do të varet gjithnjë e më shumë nga forcimi dhe profesionalizmi i institucioneve të saj të sigurisë.

Ai theksoi se mbështetja për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të sigurisë së Kosovës, në koordinim të ngushtë me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë, mbetet thelbësore për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme në rajon.

1 nga 4

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›